Si përfundoi në qeli Alban Hoxha dhe çfarë rrezikon

Hënë, 26 November 2018 09:20

Kur kanë mbetur vetëm pak ditë nga derbi i kryeqytetit, kapiteni i Partizanit, Alban Hoxha, në vend që të ishte në fushat e stërvitjes, e sheh veten në qeli.

Shkak për këtë është bërë një pakujdesi e tij për t’i dhënë makinës, edhe pse kishte konsumuar alkool më shumë se norma e lejuar. Portieri i të kuqve është arrestuar dje në orët e para të mëngjesit në afërsi të Parlamentit, në rrugën “George W. Bush”, në Tiranë.

Shërbimet e Policisë Rrugore, të cilët çdo fundjavë organizojnë pika kontrolli për parandalimin e aksidenteve, mes shumë makinave që kanë ndaluar për kontroll, i kanë nxjerrë tabelën edhe automjetit që drejtohej nga 31-vjeçari Alban Hoxha.

 

Pasi i kanë bërë të qartë arsyen e ndalimit dhe e kanë pyetur paraprakisht nëse kishte konsumuar alkool apo jo, efektivët e Qarkullimit kanë vendosur që t’i bëjnë testin e alkoolit. Burime nga Policia e Tiranës thanë se nga matja e nivelit të alkoolit me aparaturën “Drager”, ka rezultuar se portieri i Partizanit e kishte “shkelur” me pijet alkoolike.

Niveli i alkoolit, në të dy provat me test, ka rezultuar 0.52 miligramë për litër. E thënë ndryshe 0.22 miligramë për litër më shumë sesa niveli maksimal i lejuar për të drejtuar makinën, që është 0.30 miligramë për litër.

Në këto rrethana, Alban Hoxhës i është bërë e qartë nga efektivët Rrugorë që do të shoqërohej në Polici, për veprën penale “Drejtim i automjetit në gjendje të dehur apo pa dëshmi”, parashikuar nga neni 291 i Kodit Penal. Burimet për Panorama thanë se kapiteni i Partizanit nuk ka bërë rezistencë, por ka dalë menjëherë nga automjeti, siç i është kërkuar dhe më pas është shoqëruar në drejtim të ambienteve të Komisariatit nr.1.

Pas konsultimit me prokurorin e gatshëm, ndaj tij është marrë masa e arrestit në flagrancë dhe do të qëndrojë në qelitë e paraburgimit derisa të dalë para Gjykatës së Tiranës për t’u njohur me masën e sigurisë. Sipas procedurave standarde, një i arrestuar njihet me masën e sigurisë 48- 72 orë pas ndalimit e në këtë formë, Hoxha pritet që të dalë të martën para togave të zeza.

Me shumë mundësi, Alban Hoxha nuk do të qëndrojë më shumë se 2 ditë në qeli, pasi vepra penale për të cilën akuzohet është kundërvajtje penale dhe mund të dënohet edhe me gjobë.

“Drejtimi i automjeteve apo mjeteve të tjera të motorizuara në gjendje të dehur apo pa dëshminë përkatëse të aftësisë, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në gjashtë muaj”, thuhet në nenin 291 të Kodit Penal, në bazë të të cilit u arrestua Hoxha.

Login to post comments