​Presidenti i Barcelonës: PSG-ja nuk dëshiron ta shesë Neymarin

E mërkurë, 06 February 2019 10:17

Spekulimet për kthimin e Neymarit në Barcelonë nuk kanë të ndalur, mirëpo presidenti i klubit katalonas, Josep Maria Bartomeu, ka tentuar t’u japë atyre fund duke thënë se Paris Saint-Germaini nuk dëshiron ta shesë brazilianin.

Neymari e shkëmbeu Camp Nou me Parc des Princes në gusht të vitit 2017, kur e siguroi një transferim për 222 milionë euro. Ky transferim i kishte shkaktuar shumë probleme Barcelonës, që nuk kishte përgatitur transferimin e një zëvendësuesi për të, transmeton Gazeta Express.

26-vjeçari i kaloi katër sezone të mrekullueshme me Barcelonën, duke e fituar dy herë titullin e La Ligës dhe një herë titullin e Ligës së Kampionëve, por dëshira për të mos mbetur nën hijen e Messit bëri që ai ta kërkonte largimin.

Mirëpo, përkundër që ai kishte vendosur të largohej me dëshirën e tij, gjatë afatit kalimtar të verës ishte spekuluar se ai dëshiron të kthehet të luajë për Barcelonën. Këto spekulime kanë filluar përsëri dhe mediat botërore raportojnë se Barcelona është e gatshme të shpenzojë mjaft shumë para për ta kthyer Neymarin në Camp Nou.

Për më tepër, El Mundo raportoi se babai i futbollistit është duke e lutur vazhdimisht bordin e Barcelonës për ta kthyer djalin e tij, Neymar Jr, në Camp Nou. Këto lajme u mohuan nga babai i Neymarit menjëherë, e tani edhe klubi i ka mohuar.

“Unë nuk kam biseduar kurrë me ta, as babai e as futbollisti nuk më kanë telefonuar për të ma kërkuar kthimin e Neymarit në Barcelona. Ata nuk më kanë telefonuar”, ka thënë Bartomeu për El Partizado de COPE.

“Ne jemi duke u përgatitur për sezonin e ardhshëm dhe emri i Neymarit nuk është në tabelë. Ne jemi duke folur për një lojtar të PSG-së dhe unë nuk mendoj se PSG-ja dëshiron ta shesë atë”.

Neymari i ka shënuar 20 gola në 23 paraqitje në kampionin francez këtë sezon, por sezoni i tij është ndërprerë në gjysmë pasi që më 24 janar pësoi një lëndim në eshtrat e shputës së këmbës.

Login to post comments