Christian Panucci është rrëzuar në Gjykatën e Tiranës, ku nuk i është përligjur padia ndaj ish-Presidentit të Shqipërisë, Bujar Nishani. Trajneri ynë i kombëtares bëri një veprim që habiti edhe vetë FSHF-në, në fakt, duke kërkuar 100 mijë euro dëmshpërblim nga ish-kreu i shtetit shqiptar, me pretendimin se e ka ofenduar dhe i ka shkaktuar dëmtim imazhi. Po ashtu, synoi përgënjeshtrimin e deklaratave nga Zoti Nishani.
Padia e parë u kundërshtua nga gjykata se ishte e parregullt. Ajo u plotësua më tej nga italiani dhe gjyqtarja Anila Karanxha i la 30 ditë kohë palës së paditur, ish-presidentit të Republikës, që të përgatiste mbrojtjen dhe të paraqiste provat e tij. Dje, gjykata nuk ka konstatuar shkelje, sa për ta dënuar Bujar Nishanin, ndaj ka vendosur të mos shkojë më tej.
Vetë ish-presidenti Bujar Nishani e ka konfirmuar këtë gjë për “Panorama”: “Po, padia është rrëzuar. Vendimi është marrë dje për rrëzimin e padisë, por ende nuk është zbardhur. Pretendimet e ngritura nga paditësi kanë rezultuar të pabazuara”. Njëri nga avokatët e Zotit Nishani ka qenë Ledio Braho, i cili nuk ka nguruar ta thumbojë trajnerin kuqezi, përmes një statusi në Facebook, ku pozon bashkë me ish-presidentin dhe kolegun e tij mbrojtës të kësaj çështjeje, Indrit Sefa: “Kur liria e shprehjes triumfon... Panucci duhet të punojë për të fituar në fushë, se drejtësia iu përket profesionistëve të tjerë”.
Padia civile e trajnerit të kombëtares kishte të bënte me një reagim të Nishanit, pas ndeshjes miqësore Kosovë-Shqipëri, në të cilën kuqezinjtë u mundën 3-0. Pas kësaj ndeshjeje, ish-presidenti reagoi në rrjetet sociale, ku e cilësonte Panuccin një sharlatan, që shkatërroi edhe atë që ishte ngritur: “Kosovë-Shqipëri (3:0). Bravo Kosova! Panuçi një sharlatan që po shkatërron dhe atë që ishte ndërtuar”. Telesport