E BUJSHME/ Levandovski në orbitën e Interit, Bajernin e “josh” shkëmbimi me… Ikardin

Diel, 03 Mars 2019 09:36

Tek Interi janë të lodhur me Mauro Ikardin dhe ideja e drejtuesve të klubit është që ta nxjerrin në shitje. Edhe pse nga burime pranë futbollistit argjentinas nënvizohet se ai kërkon që të qëndrojë në Serinë A, duke i shkelur syrin madje edhe Juventusit. Një ndër idetë e fundit që ka nisur të qarkullojë është ajo që sheh Interin të mendojë për Robert Levandovskin.

 

Sulmuesi polak i Bajernit të Mynihut në dy vitet e fundit ka qenë i dyzuar për të provuar një eksperiencë tjetër, por për 2 vite me radhë ai u tradhtua nga Reali i Madridit, i cili edhe pse interesohej për të, nuk gjeti kurrë guximin për të paguar “faturën” që kërkonin gjigantët e Bundesligës.

Bajerni, nga ana e tij nuk e ka “prangosur” kurrë Levandovskin, por ideja e tyre ka qenë ajo që të gjejnë një zëvendëses të denjë. Dhe ndoshta, jo më kot në dy vitet e fundit janë përmendur emrat e Timo Verner, Paulo Dibalasë apo edhe Luis Suarezit.

Gjithsesi, pas krisjes me Interin, te bavarezët nisi të shqyrtohet edhe pista “Ikardi”, duke qenë se sulmuesi argjentinas jo vetëm që di të shënojë gola me breshëri, por ajo që josh Bajernin është edhe mosha e re si dhe paga shumë herë më e vogël sesa e polakut. Prandaj, nëse Interi është vërtet i interesuar për Levandovskin, të paktën kështu bën me dije media gjermane, edhe Bajerni mund të nisë ta mendojë seriozisht idenë për të tentuar afrimin e “Mauritos” në Mynih.

Edhe pse shefi ekzekutiv i Bajernit, Karl-Hainc Rumenige ka nënvizuar shpesh se i preferuari i tij është juventini Dibala dhe vetëm për të do të ishte gati të shpenzonte 100 milionë euro, ai do e mendonte seriozisht edhe idenë e Ikardit, sepse fundja për argjentinasin nuk do të nxirrnin asnjë euro nga xhepi: pse jo një shkëmbim kokë më kokë.

Por, mbi të gjitha do të kishin mundësi të afronin në ekip një sulmues 26- vjeçar (do largonin një 31- vjeçar) si dhe do kursenin gati gjysmën e pagës që përfiton Levandovski, 15 milionë euro neto, ndërsa bashkëshortjamenaxhere e Mauros, Vanda Nara, kërkon për “klientin” e saj një rrogë prej 8-9 milionësh në sezon.

Përgatiti: LEDIO NASE

Login to post comments