Video/ Dhunë në ndeshjen Kamza-Laçi, tifozët sulmojnë arbitrin

Diel, 03 Mars 2019 16:39

Nuk kishte fitues në ndeshjen e parë të së dielës për javën e 24-rt të Superligës. Kamza dhe Laçi u ndanë në barazim 1-1, një rezultat që i rri ngushtë vendasve të drejtuar nga Gentian Stojku, që pas epërsisë në fillimin e pjesës së dytë, u dorëzuan vetëm në minutën e gjashtë shtesë. Një fund dramatik, që nuk është pritur aspak mirë nga tifozët vendas, disa prej të cilëve kanë kaluar murin rrethues për të dhunuar arbitrin kryesor Eldorian Hamiti.

Për t’u kthyer te futbolli, ndeshja ishte e ekuilibuar në pjesën e parë, ndërsa pavarësisht rasteve për shënim, skuadra do të ktheheshin me rrjeta të paprekura në dhomat e zhveshjes. Në pjesën e dytë, gjithçka nisi mirë për Kamzën, që në minutën e 57-të gjeti epërsinë me Plakun. Laçi u mundua të reagojë, por nuk arriti të finalizojë rastet për shënim deri në fundin e kohës së rregullt. Por kur Kamza priste të festonte, ishte zhgënjimi që pushtoi vendasit, pasi një 11-metërsh I prishi planet e tyre. Najdenov goditi saktë nga pika e bardhë, ndërsa festa e laçianëve për shpëtimin nga humbja u shoqërua me revoltën e tifozëve vendas që zbritën në fushë për të dhunuar arbitrin kryesor. Një tjetër episod shqetësues në Superligë, ndërsa nuk ndihmon aspak Kamzën, tashmë me një këmbë në një Kategori më poshtë.

Video

Login to post comments