Krizë e thellë tek Mançester Junajtid

Hënë, 22 Prill 2019 21:51

Mançester Junajtid është në një krizë të thellë, sidomos pas humbjes në fushën e Evertonit. Kritikat për yjet e skuadrës janë të forta, ndërsa trajneri Solskjer bën një paralajmërim.

As legjendat e dikurshme nuk po dinë t’ia venë emrin.

Mançester Junajtid, një nga klubet më të mëdhenj të Europës, u turpërua thellësisht pas humbjes 0-4 në fushën e Evertonit në kampionatin anglez.

Pas eleminimit nga Championsi, ky dorëzim pa kushte ishte një tjetër sinjal alarmi për krizën e rëndë në të cilën ndodhet skuadra e trajnerit Ole Gunar Solskjer.

Akuzat kryesore ishin ndaj disa prej futbollistëve, atyre që paguhen më shumë dhe që pretendohet të udhëheqin skuadrën.

Të tillë si Pol Pogba apo David De Gea.

“Jam absolutisht I tërbuar nga zemërimi, – tha ish-ylli i Junajtidit, Geri Nevil, që fitoi gjithçka nën drejtimin e Sër Aleks Fergusonit, – kjo paraqitje ishte e turpshme. Trajneri Solskjer duhet të largojë barërat e këqija, pasi kështu nuk mund të vazhdohet. Nuk ka nevojë të jap emra, sepse ata i di gjithkush”.

“Hiqni qafe lojtarë si Pogba dhe De Gea, që nuk duan të qëndrojnë këtu, – tha ish-kapiteni i Liverpulit, Xhemi Karrager, – ata duket se e kanë më shumë mendjen te kontratat e tyre, sesa tek fati I skuadrës. Po flasim për Mançester Junajtidin, një nga klubet më të mëdhenj të botës”.

Duket se edhe Solskjerit kjo gjë i ka ardhur në majë të hundës.

Norvegjezi ka humbur 7 nga 9 ndeshjet e fundit në stol, dhe kjo menjëherë pasi firmosi kontratën si trajner I përhershëm.

“Unë do të jem i suksesshëm këtu, por disa lojtarë nuk do të jenë me mua sezonin e ardhshëm, – u tha ai gazetarëve, – kush dëshiron të luajë për këtë klub, duhet të bëjë më shumë. Duhet t’u kërkojmë falje tifozëve, i lamë në baltë dhe i mërzitëm shumë”.

Faktet flasin qartë, pasi lojtarët e Junajtidit vrapojnë më pak se ata të skuadrave të tjera, më pak se 15 nga 17 kundërshtarët në ndeshjet nën drejtimin e Solskjerit.

“Ne nuk kishim udhëheqës në fushë në këtë ndeshje, – ishte deklarata e qartë e mesfushori Nemanja Matiç, – flas së pari për veten time, pastaj për të tjerët. Duhet të kemi mentalitet kampioni”.

Për fat, Totenhemi humbi të shtunën dhe Arsenali pësoi po ashtu disfatë të dielën, ndaj edhe rivalët nuk mundën të shkëputeshin.

Junajtid ndodhet vetëm 2-3 pikë larg zonës Champions, por tani duhet që të fitojë në “Old Traford” ndaj Mançester Sitit.

Me këtë formë që ka, nuk dihet sesa do t’ia dalë.

Modifikuar më Tuesday, 23 Prill 2019 11:13
Login to post comments