Nga Kamza në Gjirokastër, sot Kupa e Shqipërisë

E mërkurë, 24 Prill 2019 10:58

Luhen, sot në orën 16:00, dy sfidat e vajtjes së gjysmëfinaleve të Kupës së Shqipërisë, ku goglat kanë rezervuar duele plot rivalitet, që përjashtojnë edhe ndonjë aleancë të mundshme në funksion të kampionatit. Në Kamzë zbresin në fushë Kukësi dhe Skënderbeu, që trofeun e Kupës e shohin si të vetmen mundësi për ta konsideruar të suksesshëm sezonin, ndërsa në Gjirokastër Luftëtari pret Tiranën në një duel që shtrihet “ethshëm” edhe në garën për mbijetesë.

Kukësi-Skënderbeu

Kukësi-Skënderbeu, raundi i parë i gjysmëfinaleve të Kupës të një çifti favorit për trofeun. Shpëtimi i sezonit për verilindorët, që kanë vetëm një minimum shansesh teorike në kampionat, ashtu edhe për kampionët në fuqi, që tanimë kanë abdikuar në favor të Partizanit. Një 90-minutësh për t’u luajtur me llogaritë specifike të Kupës. Kukësi e luan të parën në shtëpinë e improvizuar në Kamëz dhe i duhet të krijojë premisa të mira për takimin e kthimit, edhe pse Ernest Gjokës i duhet të përballet me një bilanc të ngjashëm me atë të një lufte sa i përket mungesave.

Nuk do të ketë, jo pak, por 5 futbollistë. Mungon sërish kapiteni Shameti, aq i nevojshëm, sidomos në ndeshje të tilla, peshon shumë edhe mungesa e Valdet Ramës, një lojtar që bën diferencën dhe mund ta vendosë ndeshjen në një episod të vetëm, ndërkohë që listës i shtohen edhe William Corediero i skualifikuar, e Maliqi me Krasniqin. Do të mund të jetë vetëm në stol Irakli Dzaria.

Trajnerit i duhet të improvizojë, me shumë mundësi duke tërhequr Arbër Cyrbjen në mbrojtje, ndërsa skema pritet të jetë e njëjta që i dha suksesin me Tiranën, një 4-4-1-1, me Reginaldon dhe Shkurtajn para, në një dyshe që po funksionon, me mozambikasin në volum të konsiderueshëm dhe vlonjatin në dygolësh në takimin e fundit.

Skënderbeu, në krahun tjetër, thirret për reagim. Dukshëm larg shkëlqimit të viteve të shkuara, skuadra vuan një sezon oshilacionesh, ndoshta edhe si pasojë e ndikimit psikologjik të zhvillimeve në Lozanë. Nga fitorja 4-0 me Kastriotin, tek humbja 1-0 në Laç, është një Skënderbe luhatjesh të frikshme që në këtë ndeshje i duhet të transformohet në versionin më të mire, për të hedhur një hap drejt finales.

Orges Shehi pritet të ketë të gatshëm Muzakën, ndërkohë që mungesat në kampin korcar janë ato të Shqiprim Taipit dhe Bruno Lulajt. Diçka më shumë se një muaj më parë, korçarët fitonin 1-0 në kampionat, duke u dhënë një goditje të fortë shpresave të Kukësit në luftën për titull, këtë herë do të duhet i njëjti shpirt dhe e njëjta forcë për të mos kompromentuar rrugën e vetme drejt Europës, në pritje të një lajmi të mirë nga Lozana.

Luftëtari-Tirana

Ndërthuren në të dyja frontet fatet e Tiranës dhe Luftëtarit, në Kupë dhe kampionat, njëra nuk vlen pa tjetrën, me të dyja skuadrat të vendosura në një luftë frontale, ku nuk mund të bëjnë zgjedhje. Në lojë finalja e një trofeu dhe mbijetesa, objektiva të rëndësisë maksimale. Sfida nis me gjysmëfinalen e parë të Kupës, që në këtë përplasje objektivash mund të shërbejë edhe si një provë force për sfidën e pak ditëve më pas në kampionat.

Luftëtari ka avantazhin e faktorit fushë, i duhet ta shfrytëzojë në maksimum një skuadër që po bën mjaft mirë nën drejtimin e Julian Ahmatajt. Ka bërë një mrekulli të vërtetë trajneri në Gjirokastër, lojtarë të rigjeneruar, ka formuar një mbrojtje që ofron me Hoxhën  dhe Kotsionis garanci në qendër, ka rigjeneruar mesfushën dhe ka gjetur në shtëpi edhe goleadorin e munguar, Dungën, një nga lojtarët që spikat më shumë në këto javë të fundit, mbi të gjitha dhe shumë forcë grupi e motivim.

Vetëm një humbje në 7 ndeshjet e fundit mes Kupës dhe kampionatit, Luftëtari është skuadra më në formë e Superiores dhe vjen me frymën e duhur në këtë duel që vendos vërtet shumë.

Tirana e Ardian Memës vjen pas një shuplake të hidhur. Luan, krijon, shpërdoron, ndonjëherë fiton, por edhe humbet atëherë kur nuk duhet. Ndaj Kukësit kishte mundësinë të fitonte një dozë vendimtare oksigjeni për mbijetesën, por u mund në shtëpi.

Sa i përket gjendjes së grupit, shqetëson kapiteni Karabeci që duhet pritur deri në fund për të parë nëse mund të jetë në sfidën e parë. Të Tirana kualiteti nuk mungon, por kjo skuadër është ndoshta e kundërta e këtij Luftëtari, psikologjikisht jo në formën e duhur, me grupin që i ndien më shumë luhatjet “sizmike” të mbijetesës, një mbrojtje që shpesh mëkaton në amatorizëm dhe shumë bujare para portës kundërshtare, pavarësisht volumit të lojës.

Të gjitha mangësi që duhen lënë menjëherë pas, Tirana nuk ka më kohë për të rikuperuar, këto dy sfida më shumë mundësi vendosin fatin e sezonit bardheblu. (SS)

Login to post comments