Shifrat, Cristiano Ronaldo i vetëm ka transformuar markën e Juventusit

E Enjte, 13 February 2020 15:11

Cristiano Ronaldo është një superyll i sportit. Kudo që ai shkon fansat e futbollit do të ndjekin.

Te Reali i Madridit, ai ishte “Galaktiku” më i madh i kohës moderne dhe shumë prisnin që 5 herë fituesi i “Topit të Artë” të mbyllte karrierën në Spanjë.

Por në verën e vitit 2018, ai zgjodhi një aventurë tjetër duke iu bashkuar Juventusit në Serinë A, dhe impakti i tij atje ka qenë i madh.

Në fushat e lojës, Ronaldo vazhdon të shkëlqejë për bardhezinjtë. Në sezonin e parë fitoi 2 trofe ndërsa të tjerë mund ti shtohen në sezonin aktual.

Po përfitimet nga Ronaldo nuk vijnë vetëm në fushën e lojës, jashtë fushe “legjenda” e tij është po aq e madhe. Në më pak se 2 vite, ai ka transformuar plotësisht markën e Juventusit dhe po vërteton se është lojtari që gjeneron më shumë të ardhura në historinë e futbollit.

Ditën e martë, klubi torinez njoftoi zgjerimin e sponsorizimit të tyre me kompaninë financiare “Allianz”, që tani arrin në 103.1 milionë euro. Marrëveshja e re do të jetë aktive deri në vitin 2030 dhe vlerësohet 10.3 milionë euro në sezon, por ata nuk janë sponsori i vetëm që rinovon pas ardhjes së Ronaldos.

Sipas “As”, Adidas kanë përmirësuar ofertën e tyre për të sponsorizuar veshjet e klubit pasi duan të jenë të lidhur me CR7. Marrëveshja tani vlen 51 milionë euro në vit, ndërsa para vitit 2018 ishte vetëm 23.2 milionë euro.

Duke folur për bluzat, shitjet e tyre pas vitit 2018 kalojnë shifrën e 100 milionë eurove në vit për bardhezinjtë, e padëgjuar më parë për klubin. Këto shifra e kanë futur Juventusin në kategorinë e klubeve si Barcelona, Real Madrid dhe Manchester United.

Së fundmi edhe “Jeep” rritën ofertën e tyre të sponsorizimit. Para epokës Ronaldo, ata paguanin rreth 17 milionë euro në vit por tani kjo shifër është në 42 milionë euro.

Për një futbollist të vetëm, të kesh një efekt kaq madhor për markën e klubit është e paimagjinueshme, por jo kur flasim për Ronaldon.

Login to post comments