Kushton 35 mln euro, Milot Rashica është gati për kapërcimin e madh në karrierë

Premte, 14 February 2020 13:32

Në një sezon zhgënjyes të Werder Bremen, ai që po shkëlqen është Milot Rashica. Megjithsëse skuadra e tij vuan rezultatet dhe është në garë për mbijetesën, sulmuesi i kombëtares së Kosovës ka arritur të tregojë të gjithë klasin e tij me gola dhe gjeste teknike. Këto paraqitje kanë tërhequr vëmendjen e klubeve të tjerë të Bundesligës dhe jo vetëm, të cilët mund t’i japin mundësi futbollistit të bëjë kapërcimin e madh në karrierën e tij.

Konfirmimi për këtë vjen nga Altin Lala, ish-kapiteni kuqezi tashmë në rolin e menaxherit të Rashicës. Interesimit të mediave gjermane, Lala i është përgjigjur duke lënë të hapur transferimin e sulmuesit në fund të sezonit. “Duhet të jemi të përgatitur për të gjitha skenarët e mundshëm. Ka disa skuadra të interesuara për të dhe gjithashtu kemi pasur edhe bisedime”, është shprehur Lala, duke mos përmendur asnjë emër.

Gjithsesi, Rashica lakohet prej javësh në merkaton gjermane, teksa pak ditë më parë ishte Ditmar Hamman që i sugjeroi Bayern Munich të merrte lojtarin kosovar në vend që të shpenzonte shuma marramendëse për Leroy Sane. Por pas paraqitjeve në këtë sezon edhe Milot Rashica nuk kushton pak. Sipas sitit të profilizuar në merkato “Transfermarkt”, vlera e kartonit të sulmuesit tashmë llogaritet 35 milion euro.

Modifikuar më Premte, 14 February 2020 13:33
Login to post comments