Shumë thashetheme dhe pak gjëra konkrete. Lëvizjet që 16 skuadrat e kualifikuara në fazën e 1/8-ave kanë bërë në merkaton e janarit kanë pasur edhe objektivin për të shkuar sa më larg në Ligën e Kampioneve. Sot në mbrëmje rikthehet kompeticioni madhështor europian, ku ekipet do të bëjnë gjithçka për të triumfuar.
Dortmundi dhe Totenhemi kanë bërë goditje të rëndësishme në janar. Të forcosh skuadrën në këtë dritare transferimesh, nuk është kurrë një mision i lehtë, por drejtorët kanë bërë gjithçka për të kënaqur trajnerët. Krejt e kundërta ka ndodhur te Barcelona, e cila largoi sulmuesit që kishte në dispozicion dhe tani është ende në merkato për të zëvendësuar Osman Dembelenë të dëmtuar.
ATLETIKO
Rikthimi në shtëpi. Duhet të ishte Kavani sulmuesi i Simeones, por u transferua Karrasko. Presidenti Cerezo bëri gjithçka për të forcuar ekipin e Diego Simeones, por ky transferim nuk do të lërë ndonjë gjurmë. Nga ana tjetër, “blerja” e merkatos së janarit ishte Sime Vërsaliko. I rikthyer nga dëmtimi, kroati mund të ndihmojë formacionin e “Çolos” nga krahët.
LIVERPUL
Pavarësisht se ekipi i Jyrgen Klopit po kalon një moment spektakolar dhe ndoshta nuk kishte nevojë për blerje, drejtuesit ia bënë dhuratën e Vitit të Ri. Ishte Takumi Minamino, për të cilin shpenzuan 8.5 milionë euro. Japonezi shkëlqeu në fazën e parë të Champions-it me Salcburgun dhe pikërisht ndaj Liverpulit shënoi një gol dhe dha një asist. Tani është pjesë e kampionëve të Europës dhe Klop e pëlqen për faktin se mund të luajë në disa role në repartin e avancuar.
DORTMUND
Gjermanët bënë një nga goditjet më të mëdha të merkatos. Bëhej fjalë për sulmuesin norvegjez që mahniti Europën në fillimin e sezonit duke shkëlqyer në Champions. Erling Haland veshi fanellën e verdhë dhe në 349 minuta (6 ndeshje) ka arritur të shënojë 9 gola. Blerja e tij shiti Alkaserin dhe Julian Vajgëlin. Ky i fundit u zëvendësua me Emre Xhanin. Turkogjermani u prezantua te Dortmundi me një supergol, por në fakt ende nuk e ka shijuar fitoren e parë me skuadrën e tij të re.
PSG
Triumfi më i madh i merkatos së PSG-së ishte fakti që nuk shiti asnjë lojtar. Edinson Kavani do t’i konsumojë të gjitha vitet e kontratës së tij me PSG-në dhe do të jetë i rëndësishëm për ekipin e Tuhelit në këtë kompeticion. Duke parë problemet që ka Nejmari në aspektin fizik dhe situatën jo fort pozitive mes Tuhelit dhe Mbapesë, Edinson mund të konsiderohet si një blerje.
ATALANTA
Duhet thënë se blerja e Atalantës ishte tashmë pjesë e skuadrës (Duvan Zapata), por thjesht u bë pagesa. Sulmuesi kolumbian u transferua nga Sampdoria përpara një viti e gjysmë për 14 milionë euro si huazim dhe 12 të tjera blerja e kartonit të tij. Zapata me Iliçiçin, Murielin dhe Papu Gomezin janë sulmi më i mirë në kampionatin italian me 61 gola. Matia Kaldara ishte një tjetër lojtar i afruar në merkaton e janarit, por u larguan Mazielo dhe Kjaer.
VALENCIA
Një tjetër skuadër ku triumfi mund të konsiderohet fakti që nuk e shiti yllin e saj. Rodrigo ishte sërish në qendër të vëmendjes sepse u kërkua me ngulm nga Barcelona, por në fund ia doli që ta mbante me forcë. Skuadra është forcuar në krahun e djathtë të mbrojtjes me një lojtar si Alesandro Florenci, i cili ka shumë eksperiencë. Megjithatë, aventura e tij nuk nisi mirë sepse u ndëshkua me karton të kuq.
TOTENHEM
Bergvajn dhe Gedson Fernandesh ishin dy dhuratat e para të drejtuesve për Zhoze Murinjon, por trajneri portugez sigurisht që do të kishte dashur edhe një sulmues për të zëvendësuar Herri Kejnin e dëmtuar. Uillian Hoze ishte një emër, por gjithçka mbeti në tentativë. As lojtari i Sociedadit, as Kavani dhe Piontek nuk u transferuan në Londër. Mou duhet të “shpikë” një numër 9, i cili është Lukas. Në këtë merkato, nga Totenhemi u largua një nga lojtarët më të rëndësishëm si Kristian Eriksen. Koha do ta tregojë nëse është më shumë apo më pak i lumtur tek Interi. Deni Rouz gjithashtu u largua.
LAJPCIG
Eliminimi i Dinamos së Zagrebit nga Liga e Kampioneve provokoi largimin e lojtarit më të mirë që kishte ekipi kroat. Dani Olmo ishte dëshira e madhe e trajnerit Nagelsman dhe deri tani ka shënuar një gol dhe ka dhënë një asist në 4 ndeshjet e para me Lajpcigun. Por në ekipin gjerman ka pasur edhe largime të rëndësishme si Diego Deme te Napoli dhe Mateus Kunja.
ÇELSI
Blutë e Londrës fituan të drejtën në KAS për të bërë mer kato, por pavarësisht luftës ligjore, ata nuk vendosën që të bënin blerje. Shpërthimi i talenteve si Maunt, Abraham dhe të tjerë frenuan drejtuesit dhe trajnerin Lampard që të kërkonte lojtarë. Olivie Zhiru duhet të largohej në mënyrë që të vinte një tjetër lojtar, por Interi nuk e respektoi marrëveshjen që kishin.
BAJERNI
Fytyrat e skuadrës së Hansi Flik janë të njëjtat me ato që luajtën në fazën e grupeve të Champions-it, me përjashtim të Odriozolës. Mbrojtësi në pronësi të Realit të Madridit u transferua si zëvendësuesi i Pavarit. Gjermanët kanë pasur një ecuri fantastike në kampionat dhe merkatoja nuk ishte e nevojshme. Tani bavarezët duhet të tregojnë forcën e tyre edhe në Champions.
NAPOLI
Lobotka dhe Deme ishin blerjet e janarit për makinerinë e Gatuzos. Politano gjithashtu iu bashkua një reparti të avancuar që ka shumë talente si Mertens, Insinje, Kajehon dhe Lozano. Pjesa tjetër e afrimeve ka qenë e lidhur për të ardhmen, ku De Laurentis ka firmosur me Rrahmanin dhe Petanjën.
BARCELONA
Nga 16 skuadrat e kualifikuara në fazën e 1/8-ave të Ligës së Kampioneve, Barça është e vetmja që e ka merkaton të hapur. Dëmtimi i Suarezit dhe Dembelesë ka bërë që drejtuesit të jenë ende në kërkim të një sulmuesi. Merkatoja e Barcelonës në fakt ka qenë shumë e çuditshme sepse u larguan të gjithë talentet e tjera në repartin e avancuar si Perez dhe Ruiz. Setien ka vetëm 3 sulmues dhe vetëm 3 qendërmbrojtës sepse u largua edhe Todibo.
LION
Afrimi i Rudi Garsias në stol solli edhe ndryshime në skuadër. Bruno Guimaresh dhe Ekambi janë lojtarët e afruar në mënyrë që të surprizojnë Juventusin, edhe pse ky mision duket shumë i vështirë.
JUVENTUSI
“Zonja e Vjetër” vendosi që të mos bënte ndryshime në merkaton e janarit. Madje, bëri largime. Emre Xhan dhe Mario Manxukiç u larguan dhe bardhezinjtë afruan Dejan Kulusevskin për merkaton e ardhshme. Mauricio Sarri ka një tjetër armë të fortë në anën e tij, rilindja e Paulo Dibalës dhe shkëlqimi i Kristiano Ronaldos.
REAL MADRID
Spanjollët kanë kaluar një nga merkatot më të qeta të të gjitha kohërave. Pas shpenzimeve marramendëse që bënë në merkaton e verës, këtë herë vendosën të qëndronin në heshtje. Megjithatë, Perez e hapi portofolin për të shpenzuar 30 milionë euro për talentin brazilian Reinier. Ai prezantohet sot në “Bernabeu” dhe i bashkohet ekipit sezonin e ardhshëm. Por skuadra e Zidanit nuk bëri as shitje. I vetmi lojtar që u largua ishte Alvaro Odriozola.
MAN. SITI
Merkatoja do të ishte problemi më i vogël për skuadrën e Pep Guardiolës në këto momente. “Qytetarët” janë një nga ekipet favorite për të fituar Ligën e Kampioneve, sidomos tani pas ndëshkimit që morën nga UEFA për dy sezonet e ardhshme. Në skuadrën e tij nuk pati lëvizje të peshave të rënda.