Te Tirana ka alarm gripi. Prej dy ditësh në stërvitje, mungojnë futbollistë për shkak të gjendjes gripale. Në stërvitjen e djeshme mungesat ishin të mëdha, sepse Majkëll Ngo, Edon Hasani, Mario Morina dhe Grent Halili mësohet se ishin në krevat me gjendje gripale. Disa prej lojtarëve kanë qenë në regjim shtrati për të qenë sa më shpejt gati në fushën e lojës.
Për Morinën, Halilin dhe Hasanin është gripi i parë, ndërsa për Ngonë është shqetësimi i radhës. Një gjendje gripale ka bërë që anglezi të mos stërvitej dy javë më parë me skuadrën. Në fakt, në sfidat e fundit bardheblutë kanë humbur nga një lojtar për shkak të gripit. I pari ishte Kristi Vangjeli që para takimit me Luftëtarin u bë për spital dhe u desh ndërhyrja me serume që lojtari të bëhej mirë.
Zëvendësuesi Tefik Osmani që luajti në kampionat, u bë “pelte” një ditë më pas dhe nuk luajti në Fushë-Krujë kundër Kastriotit. Në Fushë-Krujë nuk u aktivizua as Edvan Bakaj. Në fundjavën që pasoi, ai që e pësoi ishte Erjon Hoxhallari. Lojtari ishte me gjendje gripale dhe në vend të tij luajti Ismajlgeci. I fundit që e pësoi ishte Gentian Muça. Të premten e kaluar para sfidës me Skënderbeun e pësoi edhe Gentian Muça që u gdhi me 38 temperaturë.
Shkurt, një gjendje epidemie në skuadër që po vuan gripin, duke humbur lojtarë ndeshje pas ndeshjeje. Me gjendjen që ka ekipi, Emanuel Egbo dje kishte vetëm një sulmues puro në ekip, Ernest Muçin.
Kthimet – Te bardheblutë dje shpresonin që sot në fushën e lojës të ktheheshin të paktën dy lojtarë, si Ngoja dhe Halili, gjithmonë nëse bëhen mirë. Vetëm të enjten shpresohet që skuadra të jetë e plotë dhe organika të mos ketë asnjë mungesë për sfidën me Kukësin që luhet ditën e premte në “Air Albania”.