Dënimi i UEFA-s, që përjashton Man.City për dy vitet e ardhshme nga kompeticionet europiane mbetet tema më e nxehtë në mediat britanike dhe jo vetëm pasi nëse ky vendim qëndron në fuqi pritet të ketë një efekt domino të madh edhe në shumë klube të tjera që e shohin City si një market luksi dhe cilësor. I pari i cili i premtoi besnikëri klubit ishte trajneri Pep Guardiola, i cili sipas The Timës i ka konfirmuar drejtuesve të klubit dhe lojtarëve se nuk do të largohet cili do të jetë përfundimi i kësaj historie.
Ndryshe nga Guardiola, lojtarët nuk janë shumë optimist, mungesa e Champions League prek jo vetëm imazhin e tyre por mbi të gjitha prek dhe financat. “Daily Mail” zbulon një detaj që pritet të thotë shumë për të ardhmen e disa yjeve të skuadrës. Sipas të përditshmes britanike, Man.City ka kontaktuar me agjentët e lojtarëve pasi në kontratat e tyre ka shumë klauzola dhe bonuse që lidhen me pjesëmarrjen ne Champions League, paraqitjet individuale, objektivat etj. Në këto kushte, nëse dënimi i UEFA-s qëndron në fuqi, atëherë lojtarët do të humbasin miliona çka pritet të sjellë pakënaqësi dhe largime.