FIFA jep 16 milionë dollarë për lojtarët që nuk marrin rrogat. Infantino: Nuk do t’i falim ata që…

E mërkurë, 19 February 2020 12:00

Lojtarët që nuk paguhen nga klubet e tyre do të kenë një ndihmë nga FIFA. Nuk bëhet fjalë për shlyerje totale të rrogave, por për një ndihmë që mund të zbusë problemet e tyre. Ndërkohë, qeveria botërore e futbollit ka paralajmëruar klubet dhe federatat se do të jetë më e ashpër me ata që nuk merren seriozisht me këtë plagë të futbollit modern. 

VENDIMI 

FIFA ka krijuar një fond prej 16 milionë dollarësh që do të jetë i gatshëm të përdoret nga 1 korriku i vitit 2020, për t’u ardhur në ndihmë lojtarëve që nuk do të paguhen nga klubet e tyre. E ka njoftuar këtë nismë vetë FIFA, nëpërmjet një shënimi zyrtar, në të cilin zbulohen edhe disa detaje të këtij plani: “FIFA dhe FIFPro kanë arritur një marrëveshje për të krijuar ‘Fondin FIFA’, i cili ka për synim të ndihmojë lojtarët që nuk kanë asnjë mundësi që të paguhen nga klubet e tyre”, lexohet në komunikatë. Disa raporte serioze të kohëve të fundit, përfshi edhe “FIFPRO’s own 2016 Global Employment Report”, që merret posaçërisht me punësimin në rang botëror dhe që përshkruan edhe gjendjen e kushteve të punës për futbollistët profesionistë, konstaton se “ka shumë futbollistë në gjithë botën që nuk paguhen për punën e bërë”. “Ky fond dhe kjo nismë ka për qëllim që të zbusë problemet e tyre, ndonëse pa dyshim që nuk mund të zgjidhë të gjithë problematikën”, lexohet më tej në atë që raportonte dje “Sky Sport”.

DETAJET E PLANIT TË FIFA-S

FIFA ka përcaktuar një shumë prej 16 milionë dollarësh deri në vitin 2022, e cila do të ndahet në këtë mënyrë: 3 milionë dollarë në 2020-ën, 4 milionë dollarë në 2021-shin dhe 4 milionë dollarë në 2022-shin, plus 5 milionë dollarë të tjerë të rezervuar për mbrojtjen e lojtarëve edhe nga koha e kaluar, pasi ndihma do të shtrihet për lojtarët e papaguar nga korriku i vitit 2015 deri në qershorin e vitit 2020. “Në 2019-ën, FIFA ka rishikuar Kodin Disiplinor, ku ka ashpërsuar masat për sa u përket klubeve që nuk paguajnë lojtarët dhe federatave që nuk marrin masa ndaj këtyre klubeve. Mbi të gjitha, jemi fokusuar te pronarët e rinj të klubeve, të cilët nuk marrin përsipër pagesat e mëparshme, apo detyrimet e prapambetura të futbollistëve. Kjo nuk do të tolerohet më”, shkruhet në udhëzimin që FIFA u ka çuar në fund të vitit të gjitha federatave anëtare.

INFANTINO: FIFA, PRANË LOJTARËVE NË VËSHTIRËSI 

Krijimi i një fondi të tillë përfaqëson një hap të rëndësishëm dhe të kërkuar prej kohësh nga FIFA, i cili është rakorduar edhe me “FIFPro” dhe sindikatën ndërkombëtare të futbollistëve. “Kjo marrëveshje është impenjimi ynë serioz për të ndihmuar futbollistët që hasin probleme me rrogat dhe ndërkohë kjo do të përmirësohet akoma në të ardhmen. Ne jemi qeveria botërore e futbollit dhe kemi për detyrë që të mbrojmë më së pari ata që derdhin djersë në fushën e lojës”, ka deklaruar ndër të tjera presidenti i FIFA-s, Xhani Infantino. I kënaqur për këtë marrëveshje edhe Filip Piat, presidenti i “FIFPro” (federata ndërkombëtare e futbollistëve profesionistë). “Më shumë se 50 klube janë zhdukur gjatë 5 viteve të fundit në 20 vende të ndryshme të botës, me qëllim që të shmangnin pagesat ndaj lojtarëve, apo borxhet e akumuluara ndaj tyre. Për pasojë, qindra futbollistë kanë mbetur rrugëve, duke u përballur me pasiguri dhe me vështirësi të mëdha ekonomike. Ky fond të jetë një ndihmë për këta lojtarë dhe për familjet e tyre”, deklaroi Piat.

NDARJA E PAQARTË

Mbetet për t’u saktësuar se çfarë do të ndodhë konkretisht në të ardhmen dhe se si mund të përfitojnë nga kjo nismë ata mijëra futbollistë të papaguar, përfshi shumë prej tyre edhe në futbollin shqiptar. Në këtë listë do të hyjnë vetëm lojtarët e klubeve që shpallin falimentin dhe “zhduken”, apo edhe ata futbollistë që luajnë ende në klube që janë në prag falimenti, por nuk e kanë bërë zyrtare atë.

Login to post comments

Lajmet e fundit

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

Politikë

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

  Nga Rruga e Shpresës, në tubimin qytetar, anëtarja e FRPD, Alda Hajderasi tha se Edi Rama, pasi largoi rininë, ka filluar të godasë ata që kanë ngelur, pensionistët. SPAK pse nuk...

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

Politikë

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

  Shqiptarët që jetojnë në Britaninë e Madhe i janë përgjigjur masivisht ftesës së bërë nga kryetari i PD-së, Sali Berisha për një takim në Londër.  Drejtori i komunikimit në PD, Alfred...

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Politikë

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Nga Ilda Zhulali: Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%! Ndërsa planin e gjobave të tjera, në masën 188%! Sa më pak vende parkimi...