Kristiano Ronaldo është larguar ditën e djeshme nga spitali “Dr. Nélio Mendonça”, ku ndodhej, për herë të dytë, për të vizituar mamanë e tij.
E cila, mëngjesin e 3 marsit, ka qenë viktimë e një iktusi ishemik dhe është dashur të shtrohet menjëherë në klinikë.
Lajmi është raportuar ditën e djeshme nga e përditshmja portugeze “Jornal Madeira”, tabloid i qytetit të lindjes së Kristianos që tregon se ylli i Juventusit, një ditë pas fitores me Interin (në sfidën e luajtur ditën e diel në “Allianz Stadium”, e mbyllur me rezultatin 2-0 për bardhezinjtë), ka udhëtuar drejt ishullit për të parë kushtet e mamasë.
Mësohet se megjithatë sulmuesi do të jetë në Torino për sfidën me Lionin.