Ndryshimet e reja në ligjin“Për taksat vendore”, ka zgjeruar kategoritë që përjashtohen nga taksa e banesës, e cila do filloj zbatimin nga 1 prilli i 2018-s.
Niko Lera Drejtor i Përgjithshëm i Politikave Fiskale në ministrinë e Financave dhe Ekonomisë, tha për ATSH-në, se ligji i vjetër i kufizonte të përjashtuarit nga taksa e banesës në nivelin 30%, në varësi te vendimit bashkiak.
Me ndryshimet në ligjin e ri u zgjerua spektri i kategorive që përjashtohen nga taksa e banesës, duke filluar nga pensionistët e vetëm, familjet më ndihmë ekonomike, banesat që kanë marrë statusin e shtëpive muze dhe një sërë kategorish të tjera.
Në listën e përjashtimit, në ligjin e miratuar në nëntor të vitit 2017, janë edhe ndërtesat e banimit të kryefamiljarëve që trajtohen me ndihmë ekonomike, ndërtesat e banimit që shfrytëzohen nga qiramarrësi me qira të palegalizuar dhe banesat sociale në pronësi të bashkive.
Të gjitha pronat shtetërore që përdoren për qëllime jofitimprurëse, pasuritë shtetërore nën administrimin e shoqërive publike shtetërore, ndërtesat e komuniteteve fetare në funksion të veprimtarisë së tyre, si dhe objektet e kulturës.
Janë përjashtuar nga taksa e pronës edhe hotelet/resortet me 4 dhe 5 yje, që marrin “status special” po me vendim qeverie. Kjo masë, sipas saj është marrë për të stimuluar sektorin e turizmit, tha Lera.
Sipas tij, Instituti i Sigurimeve Shoqërore në koordinim me qeverisjen vendore do të përcaktojë që në fillim listën e personave që bëjnë pjesë në kategoritë e përjashtuara nga taksa e banesës.