Zëdhënësi i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, i është përgjigjur interesit të medias dhe pyetjes së Ora News në lidhje me deklaratën publike të Ministres së Drejtësisë, e cila kundërshtonte vendimin më të fundit të KLD-së “për miratimin e lejes prindërore për gjyqtarin Gjin Gjoni”.
Mbi këtë dekaratë ai sqaroi se Këshilli i Lartë i Drejtësisë ka zhvilluar mbledhjen e tij më datë 11.10.2018, në të cilën përveç dy çështjeve të caktuara në rendin e ditës është miratuar dhe përfshirja për shqyrtim në këtë mbledhje edhe kërkesa e gjyqtarit të Gjykatës së Apelit Tiranë z.Gjin Gjoni për leje prindërore.
Pas shqyrtimit të kësaj kërkese, sqaron zëdhënësi i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, KLD ka vendosue të miratojë kërkesën për leje prindërore për një periudhë 2 vjeçare, gjyqtarit Gjin Gjoni, për funksionin si gjyqtar pranë Gjykatës së Apelit Tiranë.
"Në funksion të pyetjes suaj, sqaroj se çdo pretendim apo kundërshtim që mund të ketë jo vetëm Ministrja e Drejtësisë, por dhe çdo anëtar tjetër i KLD-së, është i mirëpritur t’i paraqesë së pari me pjesëmarrje e tij në mbledhjet e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, duke përmbushur kështu funksionin e anëtarit të këtij organi përsa kohë ky organ do të jetë funksional".
Në lidhje me deklaratën e Ministres së Drejtësisë, KLD shpreh keqardhjen për pasaktësitë në përmbajtjen e saj, pasi së pari duhet sqaruar se anëtarja e KLD-së zj.Etilda Gjonaj, nuk ka marrë pjesë në këtë mbledhje, megjithëse është njoftuar për zhvillimin e saj.
Në kushtet kur Ministrja Gjonaj nuk ka qenë prezent në mbledhjen e zhvilluar, thotë zëdhënësi i KLD-së, deklarata e saj për mungesë transparence nga KLD, nuk është objektive dhe aspak korrekte në citimet e saj.
"Është i pavërtetë gjithashtu dhe deklarimi se Këshillii Lartë i Drejtësisë, nuk ka patur kuorumin e nevojshëm për vendimarrje, pasi kuorumi vendimmarrës i KLD-së mbi këtë çështje pasqyrohet qartësisht dhe në mënyrë transparente në procesverbalin e mbledhjes të publikuar. Gjithashtu sqarojmë se z.Gjin Gjoni, nuk ka marë pjesë në votimin e kësaj pike shtesë të rendit të ditës".