Baton Haxhiu i ka dërguar një letër në kufijtë e shantazhit, dhe pa etiketën minimale, Presidentit të Republikës, Ilir Meta duke i kërkuar që të dekretonte Gent Cakajn si ministër të Republikës së Shqipërisë. Meta nuk ia ka dëgjuar fjalën analistit kosovar që e mbyllte letrën me “Ilir, dëgjo Batonin ti!”, duke e refuzuar dekretimin e Cakajt.
Kryeministri Rama, por edhe Baton Haxhiu e kanë konsideruar si një ‘nominim’ të Kosovës kandidaturën e Cakajt për të luajtur, me sa duket, me idenë e patriotizmit dhe të identitetit apo bashkimit kombëtar.
Burime të Politiko.al bëjnë me dije një fakt që tregon se Haxhiu nuk ka përdorur të njëjtin standard patriotizmi mbarëshqiptar në rastin e Ambasadores së Kosovës në Itali, Alma Lama. Ai ka ndërhyrë direkt te Thaçi për shkarkimin e saj dhe, sipas burimeve, argumenti kryesor që i ka dhënë kreut të shtetit ishte se Lama ‘vinte nga Shqipëria’.
Baton Haxhiu theksojnë burimet, ka pasur si qëllim më shumë se dëmtimin e Lamës, riemërimin në atë detyrë të mikeshës së vet, Bukurie Gjonbalaj e cila e ka mbajtur më parë postin e Ambasadores kosovare në Itali.
Gjonbalaj njihet në Kosovë edhe si ish-gruaja e administratorit ndërkombëtar të Kosovës, Michael Steiner.