Z.Kryeministër, çdo bisedim me Greqinë për kufirin është antikushtetues

Hënë, 18 February 2019 09:03

Qysh kur ka nisur zyrtarisht në nëntor 2017 seriali i dytë brenda dekadës i bisedimeve midis MPJ të Shqipërisë dhe MPJ të Greqisë për të ashtuquajturën çeshtje të detit, asnjëherë nuk i është thënë opinionit publik shqiptar se cili është objekti i bisedimeve dhe as se kush i kërkoi bisedimet.

Fshehtësia ka lidhje me diçka, që nuk është në përputhje me legjislacionin tonë, me Kushtetutën dhe me vendimin historik të Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë të vitit 2010, që rrëzoi marrëveshjen e parë të detit midis dy shteteve, e firmosur nga qeveria e vitit 2009.

Por në datën 14 shkurt 2019 kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, e zbuloi publikisht në një ekran televiziv: “Për çfarë po bisedojmë ne me Greqinë? Për kufirin”.

Unë kam një dyshim të bazuar nëse Ministria e Jashtme ia ka dhënë të plotë Kryeministrit të Shqipërisë dosjen diplomatike të të ashtuquajturës çeshtje e detit 2008-2018, por fakti që ai del në publik dhe deklaron se Shqipëria po bisedon me Greqinë për kufirin, shkon përtej shqetësimit juridik, diplomatik, historik, shtetëror dhe kombëtar.

Krijon një shqetësim të këtyre përmasave për faktin tronditës dhe të pakapërdishëm, që çdo bisedim me Greqinë për kufirin tonë përbën një akt, që bie në kundërshtim me Kushtetutën e Shqipërisë.

Së pari, këtë kundërvënie me Kushtetutën të çdo bisedimi me Greqinë për kufirin detar e ka përcaktuar në mënyrë përfundimtare Gjykata Kushtetuese e Shqipërisëme vendimin e saj historik të 15 prillit 2010, kur rrëzoi si antikushtetuese dhe e bëri të pavlefshme dhe të vdekur marrëveshjen e dëmshme të detit, të nënshkruar me Greqinë nga qeveria e vitit 2009.

Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë përcakton juridikisht se MPJ e Shqipërisë dhe qeveria e Shqipërisë nuk kishin asnjë të drejtë dhe as tagër ligjor të bënin objekt të bisedimeve me Athinën kufirin detar të Shqipërisë me Greqinë, sepse ai kufi kanë qenë i përcaktuar me kohë dhe i njohur e i pranuar ndërkombëtarisht nga traktatet dhe marrëveshjet ndërkombëtare të fuqive të mëdha.

“Kufijtë shtetërorë, përfshirë natyrshëm edhe kufirin e Detit Territorial ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Greqisë, kanë ekzistuar”, thuhet në vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë.( Fletorja zyrtare e Republikës së Shqipërisë, nr.52, 4 maj 2010, fq.1879). Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë përcakton nëvendimin e saj se MPJ dhe qeveria nuk kanë asnjë të drejtë të bëjnë objekt bisedimesh kufijtë detarë apo ujrat territoriale shqiptare.

Së dyti, të hysh në bisedime për kufirin detar apo tokësor me Greqinë të ndalojnë aktet e mëdha juridiko-ndërkombëtaretë fuqive të mëdha, si Konferenca e Londrës e vitit 1913, Protokolli i Firences i 27 janarit 1925, dhe sidomos “Akti final i delimitimit të kufijve të Shqipërisë” i Parisit i 30 korrikut 1926. Fuqitë e mëdha kanë përcaktuar dhe mbyllur përfundimisht kufijtë e Shqipërisë, si me Greqinë, ashtu dhe me Jugosllavinë, në Paris në korrik 1926 dhe këtë marrëveshje të fuqive të mëdha dhe pranimin e kufijve përfundimtarë me Shqipërinë e kanë nënshkruar edhe qeveria e Greqisë, edhe qeveria e Jugosllavisë.

Qeveritë shqiptare të të gjitha kohrave i kanë respektuar vendimet e akteve juridike ndërkombëtare dhe siç kam shkruar në librin tim “Çeshtja e paqenë e detit: Një intrigë diplomatike greke apo shqiptare?”: “Sjellja ndërkombëtare e Shqipërisë në çeshtjen e kufijve ka qenë në respektim të vendimeve të fuqive të mëdha dhe një qendrim parimor për mosndryshimin e kufijve të shteteve në Ballkan dhe në Europë, gjë që duhet konsideruar një kontribut historik i Shqipërisë në stabilitetin rajonal dhe kontinental”. (Tiranë, Botimet Alsar, 2018,fq.99)

Unë nuk mund të kuptoj se cila mendje shërbyese në MPJ të Shqipërisë ka guxuar që të sfidojë në vitin 2017 qoftë vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë, qoftë traktatet dhe marrëveshjet ndërkombëtare për kufijtë e Shqipërisë. Kaq të përcaktuar dhe të paluajtshëm janë kufijtë e Shqipërisë me Greqinë në bazë të “Aktit përfundimtar të delimitimit të kufijve tëShqipërisë” të Parisit të 30 korrikut 1926, sa që edhe vetë ministri i jashtëm grek, Nikos Kocias, në 3 korrik të vitit 2018 detyrohet që, gjatë polemikave me opozitën e vendit të tij, të pranojë në faqen zyrtare të MPJ greke, për herë e parë publikisht në 92 vjet nga një udhëheqës grek, se ekziston marrëveshja ndërkombëtare e Parisit e vitit 1926, të cilën Greqia nuk mund ta shkelë.

Por e shkeli me këmbët e veta Ministria e Jashtme  e vitit 2009 dhe e përsëriti këtë shkelje pa iu dridhur syri Ministria e Jashtme e vitit 2017. Burime të besuara të MPJ të Shqipërisë venë në dukje se MPJ nuk i ka raportuar kryeministrit Edi Rama se ajo po rinegocionte marrëveshjen e vdekur të vitit 2009, duke plotësuar kështu një interes të vjetër të qeverisë greke, për të përfshirë përsëri kufirin detar si objekt tratativash,  dhe duke shkelur vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë.

Në një komunikim të brendshëm, me një letër zyrtare dërguar presidentit të Republikës, Ilir Meta, në datën 18.2.2018, MPJ i kërkon atij plotfuqishmërinë e hapjes se bisedimeve dhe e vë para faktit të kryer se objekt bisedimesh është kufiri detar midis dy shteteve. Sipas një burimi nga MPJ kërkesa drejtuar presidentit ishte sa për sy efaqe, sepse praktikisht marrëveshjae re humbëse me Greqinë ishte sigluar dhe marrëveshjes i ishte prerë edhe dita e dasmës ose e festimeve në pashkët ortodokse në fillim të prillit 2018 në Korçë.

Së treti, bisedimet për kufirin i ndalon fakti historik dhe juridik se çeshtja e detit është inekzistente ose e paqenë. Nuk ka ekzistuar kurrë në marrëdhëniet shqiptaro-greke një çeshtje deti. Nëse do të kishte pasur ndonjë çështje deti, ajo do të ishte trajtuar gjatë afro 100 viteve, qysh nga 1914, kur u vendosën për herë të parë marrëdhëniet diplomatike midis dy shteteve.

Ajo nuk ka ekzistuar as në kohën e Zogut e as në kohën e Enverit, as në kohën e kulmit të konflikteve midis Shqipërisë dhe Greqisë, as në 1949 që u shkua deri në konflikt të armatosur, as në kohën e regjimit të kolonelëve dhe as pas rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike në vitin 1971 midis dy vendeve. Pra, është një çështje, që nuk ka ekzistuar.

Kjo çështje u ngrit befas nga Athina në vitin 2007, kur doli në dritë informacioni për pasuritë e mëdha të hidrorkarbureve në ujrat shqiptare të detit Jon. Nëse do të kishte ekzistuar një çeshtje deti, ajo do të ishte ngritur nga pala greke gjatë gjithë dekadave, afro 100 vjet, por befas çfaqet me hidrokarburet në 2007. Në 2007 Athina ka kërkuar zyrtarisht hapjen e bisedimeve për shelfin kontinental, jo për kufirin detar. Për hir të së vërtetës duhet thënë se futja e kufirit detar si objekt bisedimesh ka qenë një intrigë shqiptare e MPJ së vitit 2009. Odisenë diplomatike të të ashtuquajturës çeshtje e detit në harkun kohor 2008-2018 e trajtoj gjërësisht në librin tim “Çeshtja e paqenë e detit: Një intrigë diplomatike greke apo shqiptare?”.

Së katërti, Edi Ramën e ndalon Edi Rama të hapë bisedime për kufirin detar me Greqinë. Kryetarit të PS, Edi Rama,i duhet njohur merita historike që dërgoi në Gjykatën Kushtetuese të Shqipërisë padinë për marrëveshjen e zezë të detit, të nënshkruar nga qeveria e PD në  2009.

Në padinë zyrtare të Partisë Socialiste, me kryetar Edi Ramën, drejtuar Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë në datën 6.12.2009, deklarohet: “Është thënë vazhdimisht nga anëtarët e delegacionit (shqiptar në bisedimet me Greqinë), por edhe nga politikanë të ndryshëm se nuk ka pasur kufij të përcaktuar midis Shqipërisë dhe Greqisë në zonën detare. Kjo nuk është e vërtetë, përkundrazi është një mashtrim.Kufiri ka ekzistuar. Pra kufiri detar shqiptaro-grek ishte i njohur, i përcaktuar edhe me koordinata, dhe i respektuar nga të dyja palët. Asnjëherë Greqia nuk e ka kundërshtuar këtë vijë të kufirit detar, përkundrazi e ka respektuar”.

Ky qendrim i drejtë historik dhe juridik ishte harruar nga MPJ e vitit 2009, por tani kryeministrit i takon të japë një shpjegim përse MPJ e tij në vitin 2017 ka devijuar nga qendrimi dhe nga vlerësimi zyrtar i Partisë Socialiste me kryetar Edi Ramën.

Në datën 11 mars 2016 kryeministri Edi Rama, duke folur në parlament për marrëveshjen e detit të vitit 2009, ka deklaruar: “Kufiri detar është faktikisht tradhti, nuk është përgjegjësi e qeverisë greke, që në Tiranë gjetën ca kokrra tradhtarësh, që falën gjithë atë territor ujor të Shqipërisë për ca interesa mizerabël”.

Pra kryeministrin Edi Rama e ndalon kryeministri Edi Rama të hapë çfarëdo lloj bisedimi për kufirin detar me Greqinë.

As qeveria, as MPJ dhe as kryeministri nuk kanë tagër kushtetues të vënë në diskutim kufijtë shtetërorë sovranë të vendit. Ka një mendim në disa qarqe brenda MPJ të Shqipërisë që kryeministri nuk është informuar në masën e duhur përtë ashtuquajturën paketë të bisedimeve shqiptaro-greke në vitet 2017-2018. Paketë, e cila ishte një truk diplomatik grek për të kaluar kontrabandë marrëveshjen e rrëzuar të detit.

Por kryeministrit duhet t’i kishte bërë përshtypje ngutja e pazakontë e MPJ së tij për të përfunduar marrëveshjen e re të retushuar të detit me Greqinë me dy raunde bisedimesh, gjë që tejkalonte edhe nxitimin proverbial të MPJ të vitit 2009.

Ka qenë një qendrim për t’u përshëndetur dhe në mbrojtje të Kushtetutës ai i presidentit të Shqipërisë, Ilir Meta, i cili bllokoi nga pikëpamja ligjore dhe kushtetuese theqafjen e sovranitetit tonë kufitar detar, që kurthonte edhe marrëveshja e re e fshehtë me Greqinë.

Në cilësinë e ekspertit të çeshtjes dhe të fushës, unëi drejtohem presidentit të Republikës që, në respekt dhe në detyrim të vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë dhe të Kushtetutës së Shqipërisë, të mos akordojë autorizimin e tij për asnjë lloj marrëveshje me Greqinë, e cila përmban cënimin e kufijve të përcaktuar ekzistues detarë dhe të sovranitetit e të integritetit territorial detar, shtetëror e kombëtar të Shqipërisë.

Nga Shaban Murati – Dita

Login to post comments