660 milionë lekë u investuan nga qeveria një vit më parë për rikonstruksionin e Spitalit Universitar të Traumës. Këto punime u konsideruan sukses nga kryeministri Rama gjatë inaugurimit në muajin tetor të vitit të kaluar. “Ka ndodhur një revolucion teknik i paparë. Sot mund të krahasohemi me spitalet bashkëkohorë që kemi parë në Itali e Gjermani. Më kujtohet që para 4 vitesh ishte një spital lufte. Sot është një gjë krejt tjetër. Kjo është një ëndërr e bërë realitet”, deklaroi kryeministri.
Por, pak muaj pas këtij investimi, pacientët detyrohen të presin në ambiente aspak të përshtatshme. Nga një vëzhgim i bërë nga Pro Pacientit, rezulton se në repartet e konsultave në katin e dytë dhe të tretë të Spitalit Universitar të Traumës, pacientët apo ata që duan të takojnë të afërmit e tyre, nuk kanë ambient ku të ulen për të pritur. Stolat e vetëm gjatë pritjes janë bërë shkallët e këtij institucioni.
“Rrëmujë e madhe është bërë. Të paktën nga një stol ta kishim se bllokojmë kalimin e të tjerëve. Këtu vërtetë ka shumë pak hapësirë, por kërkojmë që të menaxhohet disi, se po na merret fryma nga numri i madh i njerëzve”, tregon P.I., pacient në spital.
Fakti që në repartet e konsultave pranë Spitalit Universitar të Traumës ka edhe pacientë të shtruar, vijon të krijojë prej kohësh një situatës të tillë. Në këtë institucion shëndetësor është deklaruar nga Ministria e linjës se janë investuar 660 milionë lekë për rikonstruktimin e infrastrukturës dhe blerjen e pajisjeve mjekësore. /Pro Pacientit/