Një aksident ka ndodhur mëngjesin e sotëm në autostradën Tiranë-Durrës, pranë mbikalimit të Kasharit. Sipas të dhënave të para dy automjete janë përplasur me njëra-tjetrën e më pas me mbikalimin e këmbësorëve, e për pasojë janë plagosur rëndë dy persona burrë e grua.
“BalkanWeb” ka siguruar pamjet e para nga vendi i ngjarjes pas aksidentit. Siç duket edhe në video, automjeti ka pësuar dëmtime të mëdha, çka tregon për përplasjen e fortë.
Policia ka mbërritur në vendngjarje dhe ka nisur hetimet për zbardhjen e rrethanave dhe shkaqeve të aksidentit. Ndërkaq ambulanca ka dërguar në spital dy të plagosurit.
Mësohet se burri ka pësuar dëmtime më serioze, por të dy janë jashtë rrezikut për jetën. Paraprakisht dyshohet se një prej mjeteve ka qenë me shpejtësi tej normave. BW