Kur po mbushen 3 javë nga zjarri i fuqishëm që përfshiu fabrikën e riciklimit në Mëzes të Tiranës, specialistët janë drejt përfundimit të ekspertizës.
Nga burimet pranë grupit hetimor mësohet se zjarrvënia e qëllimshme është pista më e besueshme, pasi ka prova që çojnë drejt saj.
Një grumbull i ngjeshur plasike në qendër të fabrikës, pranë makinerive, ka shtuar së shumti dyshimet, për zjarrin që ra në 22 prill, por edhe luhatja e tensionit pikërisht në njërën prej këtyre makinerive, mbetet pistë tjetër e besueshme hetimi.
Gjithësesi, ekspertiza mendohet se përfundon brenda këtij muaji. Kurse hetimet për zjarrin që ra më 2 prill te rruga “Siri Kodra”, pranë “ish-frigoriferit”, kanë përfunduar prej pak ditësh.
Specialistët kanë dalë në përfundimin se shkëndija nga rryma e energjisë, në magazinën me materiale elektrike, ishte shkaku i zjarrit. Izolimi i ambienteve me polesterol dhe jo me materiale rezistente ndaj zjarri, ka shkaktuar edhe përhapjen e shpejtë të flakëve. Pavarësisht ekspertizave nga agjencitë ligjzbtatuese, pronarët kanë të drejtë të marrin ekspertë privatë, të cilët ballafaqojnë provat dhe faktet në gjykatë.