Trashëgimia është kthyer tashmë në një simbol të lidhjeve të ngushta tradicionale kulturore midis Austrisë dhe Shqipërisë. Nën moton ”Të rizbulojmë të përbashkëtat“, viti i përbashkët i Kulturës Austri- Shqipëri vazhdoi serinë e aktiviteteve kulturore ne Vjenë, kësaj radhe me një aktivitet të veçantë, kushtuar aktorit të madh të skenave austriake dhe europiane, Alekander Moisiu. Me mbështetjen dhe bashkëpunimin e frytshëm me Theater Museum dhe ndihmën e studjuesit , Pjeter Logoreci, ambasada Vjenë bëri të mundur ekspozimin për herë të parë për publikun e gjerë, të 15 objekteve personale të aktorit Moissiu. Ambasada Shqiptare në Vjenë e konsideron përkujtimin e figurës së jashtëzakonshme të aktorit me origjinë shqiptare, jo vetëm si një shikim në të shkuarën por mbi të gjitha burim frymëzimi për brezat e rinj. Aktiviteti u ndoq me shumë interes nga komuniteti shqiptar në Austri, si dhe miq e artdashës austriak. Të pranishmit u përshëndetën nga Drejtori i Theater Museum Dr. Thomas Trabitsch, Drejtore e Departamentit të Kulturës në Ministrinë Federale për Evropën, Integrimin dhe Punët e Jashtme, Ambasadore Teresa Indjein dhe Ambasadori Roland Bimo. Për jetën dhe veprimtarinë e aktorit të madh Aleksandër Moisiu, fjalën e mbajti studjuesi Pjeter Logoreci. Një nga veçoritë e kësaj mbrëmje kulturore ishte edhe pjesëmarrja e artistëve shqiptarë Janela Nini (Violinë) dhe Franz Gjoni (Kitare), të cilët lanë mbresa të thella tek publiku pjesëmarrës për interpretimet e tyre me nivel të lartë artistik.