David Hale: Të vazhdojnë bisedimet Kosovë - Serbi  

Premte, 08 Mars 2019 18:28

Zëvendës sekretari amerikan i Shtetit, David Hale, u bëri thirrje Kosovës dhe Serbisë të ndërpresin provokimet dhe të rihapin bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre.

Zoti Hale takoi të premten në Beograd presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, për të diskutuar rrugët e vazhdimit të bisedimeve që janë pezulluar për shkak të refuzimit të Serbisë për vazhdimin e tyre pa heqjen e tarifave ndaj mallrave serbe që u vendosën në nëntor të vitit të kaluar nga qeveria e Kosovës.

Në një njoftim të ambasadës amerikane në Beograd pas takimit thuhet se “Shtetet e Bashkuara bëjnë thirrje për heqjen e tarifave, ndërprerjen e provokimeve të dyanshme dhe vazhdimin e bisedimeve. Shtetet e Bashkuara vlerësojnë partneritetin me Serbinë dhe dëshirojnë të ndërtojnë marrëdhënieve edhe më të fuqishme” thuhet në një njoftim të publikuar në rrjetin twitter.

Modifikuar më Premte, 08 Mars 2019 18:42
Login to post comments