Madhëria i pafuqishëm i keqinformuar! Pse nuk e lë fronin?

E mërkurë, 26 December 2018 15:43

Nga Adi Krasta

Shpeshherë, në romanet që kanë pasur në qendër jetën dhe sjelljen e mbretërve  të Francës, është folur për atë që quhet ‘harrimi institucional i madhërisë’.

Është një mosvëmendje e pakujdesshme e njeriut të veshur me pushtet.

Vetë pushteti siç është tërheqës, bëhet i pavëmendshëm. Arroganca dhe diletantizmi ndihmojnë dukshëm për këtë.

Shkëputja nga realiteti dhe përqeshja e tij janë disa nga rezultatet e përdorimit të skajshëm të pushtetit.

Aq gënjeshtar sa është pushteti, ia del të bindë përdoruesin e tij se do të zgjasë gjithmonë. Por nuk ndodh ashtu.

Vjen si pa kuptuar e papritur ai moment kur ushtruesi e përdoruesi i pushtetit mbetet bosh, i pafuqishëm dhe pa shpjegim.

Sidomos i varfër në shpjegim.

Ndaj ai zgjedh të bëhet i painformuar. Pra, nuk e ka ditur se reforma paska dështuar dhe se universitetet drejtohen nga një klasë akademike, pushtuese dhe bosh. Nuk e ka ditur se vendi është kanabizuar.

Nuk e ka ditur se ministrat e tij akuzohen për vjedhje. Nuk e ka ditur se tenderat bëhen me falsifikime. Nuk e ka ditur se pikërisht ai ka takuar vazhdimisht bosët e mediave të mëdha dhe u ka bërë favore që kazani të mbyllë gojën.

Ai nuk e ka ditur asnjëherë se vetë ai u dërgon gazetarëve, prokurorëve, gjykatësve, ambasadorëve, mesazhe kërcënuese ose u telefonon për t’i sharë e kërdisur.

Ai tani nuk e di që Shqipëria i ka shpenzuar lekët e veta për rrush e kumbulla.

Ai nuk e di se partia e tij i ka bërë lekët me larjen e parave dhe blen lirisht votën e njerëzve të varfër. Që rinia dhe çdokush që mundet, ikën prej këtij vendi nga sytë këmbët.

Votre ‘Majeste’ – si vous etes mal informe

Vous feriez mieux de quitter votre trone!

 (Madhëria juaj, nëse ju jeni i keqinformuar, do të bënit mirë ta linit fronin tuaj)

*Monolog në emisionin ‘A’ në ‘News24’

Modifikuar më E mërkurë, 26 December 2018 18:10
Login to post comments