Nga Artur ZHEJI
Kisha në emision mister Kujtim Gjuzin. Në prag të Protestës së madhe të Opozitës. Ndonëse duhet të bënim një emision më të angazhuar, pro ose kundër Protestave, pro ose kundër largimit të Ramës, bëmë kësaj radhe një zgjedhje tjetër.
Dhe nuk u pendova aspak, sepse, megjithë këto vite që kanë kaluar, Gjuzi na hapi njerin sy. Po, po, vetë Kujtimi e bëri këtë. Na dha të kuptojmë edhe përmes humorit, se sa larg kemi shkuar duke e marrë seriozisht kryeministrin.
Këtë super gallataxhi, këtë personazh të Mark Tuenit, që vetëm ka interpretuar role të ndryshme, të fundit ka luajtur si aktor në skenën e poilitikës, rolin e kryeministrit. E thotë vetë ai, “një budalla hedh një gur në lumë, 100 të mençur nuk e nxjerrin dot nga lumi…” Këtu fajin me “F” të madhe e ka patur Ilir Meta dhe Sali Berisha, që kanë bërë që shqiptarët ta marrin seriozisht, një aktor si Edi Rama. Ndoshta sepse ata kanë menduar që ai ka qenë vetëm një piktor në tentativë, porse shtetar, kurrësesi.
Duhej pra mister Kujtim Gjuzi, që të na kthjellonte të gjithëve, të deklaronte në mënyrë të tërthortë apo të drejtëpërdrejtë, se ishte edhe ai, në garë me të.
Se ay, Rama pra, i kish vjedhur lukun, çorapet me ngjyra, stilin e pantallonqepjes, që më pas e perfeksionoi te “Brioni” në Milano dhe se mohonte në mënyrë të gënjeshtërt, sigurisht në siklet, që “kish qepur pantallonat” e veta të para, te “rrobaqepsia Gjuzi”.
Po, po e kam seriozisht, aty ku ka dështuar Meta dhe Berisha, ka fituar Kujtim Gjuzi. Kaq e thjeshtë është, dhe kaq e kthjellët.
Sepse ai, Gjuzi, e trajton Ramën për atë që ai është në të vërtetë, një aktor interesant dhe një gënjeshtar i vogël (në rini, sepse më vonë u bo “nona” e gënjeshtrës…), ndërsa Meta dhe Berisha, na e kishin pandehur si një virtuoz të madh. Kuptohet këtu, pa llogaritur Partinë Socialiste, Erjon Braçen apo Taulant Ballën dhe të tjerë, që ishin dhe janë në rolet dytësore dhe e kanë si funksion të na mbushin mendjen se kryeministri, është vetëm kryeministër dhe një aktor, që gënjeshtrën e mbiquan “roli” dhe “rolin” e quan pa u skuqur “shtetbërje!”
U deshën kaq vite që Kujtim Gjuzi të diltë në dritë dhe me pak fjalë të thjeshta të shpjegonte mekanizmin e thjeshtë mendor të këtij akrobati apo pehlivani, që paraqitej si i ngatërruar, kompleks dhe i sofistikuar, i këtij kryeministri “aktor kontrabandë”, që nuk del me të drejtë nga skena, kur trilogjia e tij dramatike, apo trilogjia e tij tragji-komike, nuk ka mbaruar akoma.
Bravo Kujtim na hape sytë or burrë! Sepse kush “sheh” te Edi Rama dikë tjetër nga ai lloj tipi që sheh ti, vetëm do gabojë dhe do habitet tërë jetën, se përse gaboi.
Por mekanizmat dialektike nuk mund ta linin për të gjithë jetën dhe pafundësisht, që edhe ne, ashtu si Berisha dhe Meta apo edhe të tjerë, të merrnim seriozisht dhe ta shikonim me gjyslyke magjike të posaçme, këtë krijesë kaq të thjeshtë prej “gallataxhiu”, që me zor e morrën dhe e vunë kryeministër në mënyrë të pabesueshme.
Më thoni pra, ku qëndron “faji” i Ramës këtu?
Çfaj ka pra ay, Rama pra, që e morrën seriozisht?
Këtë dhe na e shpjegoi e do të vazhdojë të na shpjegojë Kujtim Gjuzi, deputet i ri i Kuvendit të Shqipërisë dhe kryetar i Partisë Konservatore, që nga data “X” dhe me vendimin “Y” të Gjykatës së Tiranës….
360grade.al