Kryeministri i Greqisë, Aleksis Tsipras ka paralajmëruar nënshkrimin e shpejtë të marrëveshjes më Shqipërinë, pjesë e të cilës është edhe përcaktimi i shumë debatuar i kufirit detar mes dy vendeve.
Deklarata është publikuar nga mediat greke ndërkohë që shefi i qeverisë greke ndodhet në Samitin e Ballkanit Perëndimor në Londër.
Shefi i qeverisë greke ka bërë edhe një deklaratë të papritur duke e cilësuar Shqipërinë si një vend në krizë.
Teksa ka prekur sfidat e Ballkanit dhe kontinentit të vjetër, kryeministri grek tha se gjërat po ndryshojnë.
“Periudha që kemi kaluar ishte jashtëzakonisht e vështirë për Ballkanin,” vuri në dukje, duke kujtuar se në 2014-ën, Presidenti i Komisionit Europian Jean-Claude Juncker njoftoi ngrirjen e zgjerimit.
“Evropa përjetoi përtej krizës ekonomike, krizën më të keqe të refugjatëve pas luftës, e cila u përqendrua në rajon… Ne kemi përjetuar një përpjekje të tmerrshme të grushtit të shtetit në Turqi, si dhe krizat në Shqipëri dhe Maqedoni”. “Gjërat po ndryshojnë tani. Me Marrëveshjen e Prespës, Marrëveshja Bullgari- FYROM (Maqedoni), me përpjekjet për të zgjidhur çështjet midis Greqisë dhe Shqipërisë, me presidencën e suksesshme bullgare të BE dhe ringjalljen e Axhendës së Selanikut për zgjerimin e BE”, shtoi kreu i qeverisë greke.