Partia Demokratike ka reaguar para pak minutash permes sekretarit per ceshtje ligjore Clirim Gjata duke akuzuar mazhorancen se fabrikimi i dëshmitarit të sajuar është radiografia e narkoshtetit që mbulon të vërtetën e vëllait trafikant droge të Ministrit të Brendshëm për të goditur opozitën.
ÇLIRIM GJATA, SEKRETAR PËR ÇËSHTJET LIGJORE
Rreth 1 vit më parë, kur Partia Demokratike denoncoi skandalin e përfshirjes së vëllait të Ministrit të Brendshëm Agron Xhafaj në trafikun e drogës, qeveria nisi operacionin e manipulimit të dosjes që fundoste Fatmir Xhafën dhe Edi Ramën.
Pas një viti, përgjimet zyrtare kanë faktuar se Edi Rama dhe Fatmir Xhafaj kanë përdorur policinë, shërbimin sekret dhe prokurorinë për të mbuluar të vërtetën. Ata kanë fabrikuar dëshmitarin e paguar me para për të shpëtuar trafikantin Agron Xhafaj dhe për të akuzuar penalisht opozitën.
Dosja kundër Ervin Salianjit dhe gazetarit kurajoz Jetmir Olldashi tregon radiografinë e një narkoshteti, ku 𡞯do institucion dhe zyrtar që duhet të ishte në krah të ligjit, është vendosur në krah të trafikantëve të drogës, në rastin konkret të Agron Xhafajt, dhe të politikanëve që e mbrojnë trafikantin, Edi Ramës dhe Fatmir Xhafajt.
Provat që kolegu Salianji i ka bërë publike plotësojnë atë pjesë të gjeagjëzës, që qytetarët e mendojnë se ndodh brenda narkoshtetit, por deri më sot nuk e kishin dëgjuar me veshët e tyre.
Qytetarët kanë dëgjuar sesi Drejtori i Policisë së Fierit është kthyer në shërbëtor të një trafikanti, e mban me para, i jep llogari, e takon me shefa të mëdhenj e me prokurorë të çështjes, vetëm sepse shefat e tij politikë e kishin caktuar për dëshmitar të rremë kundër opozitës.
Qytetarët kanë parë, se shërbimi informativ i shtetit, në vend që të marrë informacion për Agron Xhafajn, çon në prokurori një Agron tjetër, zëri i të cilit, sipas ekspertizës zyrtare, nuk ngjan aspak me atë të vëllait trafikant të ministrit të brendshëm.
Qytetarët kanë dëgjuar se dëshmitari i sajuar, shërbëtor i paguar i një qeverie që trafikun e drogës dhe krimin e organizuar e ka në themel të pushtetit të saj, urdhëronte prokurorët e çështjes të takoheshin me të, kur të donte ai.
Qytetarët kanë dëgjuar në bisedat e pazbardhura nga prokuroria emra të njohur të Partisë Socialiste, përfshirë edhe atë të Taulantit, i njohur si njeriu i punëve të pista të Edi Ramës.
Qytetarët kanë dëgjuar me veshët e tyre mes bisedave të dëshmitarit të sajuar dhe drejtorit të policisë së Fierit se pas gjithë kësaj historie qëndron një shef i madh, i cili koordinon zbatimin e skemës kundër opozitës për të mbuluar të vërtetën e narkoshtetit.
Të gjitha këto janë fakte të përdorimit të shtetit, nga policia, tek prokuroria dhe shërbimi sekret i fabrikimit të një dëshmitari të blerë me para për ta përdorur kundër opozitës.
Pushtetin për të përdorur të gjithë këto institucione në Shqipëri e ka vetëm një njëri. Ai quhet Edi Rama, pa largimin e të cilit në Shqipëri nuk do të ketë paqe sociale!