Ish deputeti i PD-së Ervin Salianji në një dalje për media nuk ka kursyer akuzat ndaj Drejtorit të ri të Policisë së Fierit, Andon Markos. Sipas Salianjit, ai duhet të burgoset për dëshmi të rremë.
“Partia Demokratike denoncoi dje Andon Markon, një prej drejtuesve të policisë që është përfshirë në blerjen e dëshmitarëve të rreme. Të gjitha përgjimet tregojnë sesi Andon Marku i shërben qeverisë.
“Drejtori i ri i Policisë së Fierit jo vetëm ka dijeni për skemën e blerjes së dëshmitarit të rremë të qeverisë, por ai e ka takuar disa herë atë. Kjo e bën shefin e ri të Policisë së Fierit një mashtrues, që duhej arrestuar menjëherë për dëshmi të rreme”, tha Salianji.
“Partia Demokratike garanton qytetarët se ne do te rikthejmë sundimin e ligjit dhe do të çmontojmë me forcën e ligjit banditët kudo ku ata janë”, tha ai
Ja Deklarata e Plote e ish deputeteit Ervin Salianji
Partia Demokratike denoncoi dje si akt banditesk emërimin në krye të Drejtorisë së Policisë së Fierit të Andon Markos një prej policëve që është përfshirë në skemën e manipulimit dhe blerjes së dëshmitarit të rremë në dosjen Xhafaj kundër opozitës.
Ne bëmë publike dje 5 përgjime, që faktojnë se Andrea Marko, në detyrën e nëndrejtorit të Policisë së Fierit i shërben dëshmitarit të sajuar të qeverisë dhe e mban me para atë që të dëshmojë kundër opozitës, në mbrojtje të narkopushtetit politik të Ramës.
Partia Demokratike u ka shpjeguar shqiptarëve se në këtë skemë të rëndë manipulimi shtetëror, një rol kyç ka prokuroria e kapur prej Edi Ramës dhe rasti i Andon Markos e provon sërish këtë.
Nga përgjimet faktohet se Drejtori i ri i Policisë së Fierit jo vetëm ka dijeni për skemën e blerjes së dëshmitarit të rremë të qeverisë, por se ai e ka takuar disa herë atë. Kjo e bën shefin e ri të Policisë së Fierit një mashtrues, që duhej arrestuar menjeherë për dëshmi të rreme.
Në datën 17 tetor Andon Marko ka deklaruar në prokurori se me Fredi Alizotin, dëshmitarin e rremë, është takuar vetëm 1 herë, pasi i është kërkuar në 1 qershor nga drejtori Albert Nushi.
Përgjimet e djeshme provojnë se ai është takuar disa herë me Alizotin e qeverisë dhe ka folur dhjetëra herë nga qershori në Tetor, por prokuroria, në vend që t’i vinte prangat për dëshmi të rreme, hesht.
Heshtja e prokurorisë për shkeljet e rënda me dosjen e manipuluar kundër opozitës dhe sajimin e një dëshmitari për të mbrojtur pushtetin kriminal të Edi Ramës e bën atë, përtej çdo dyshimi, pjesë të skemës qeveritare të manipulimit.
Sot Andon Marko duhet të ishte shkarkuar nga Policia si punonjës i padenjë i saj, si bashkëpunëtor i banditëve dhe trafikantëve, por në shtetin bandit të Edi Ramës Andon Marko gradohet në postin e Drejtorit të Policisë së Fierit, si shpërblim për pjesëmarrjen në skemën e shpikjes së dëshmitarit të rremë për llogari të “Shefit të Madh” në Tiranë.
Kjo është policia e Edi Ramës dhe Sandër Kimikut, ku gradohen ata që kryejnë punët e pista dhe u binden urdhrave politike kundër opozitës.
Partia Demokratike garanton qytetarët se ne do te rikthejmë sundimin e ligjit dhe do të çmontojmë me forcën e ligjit banditët kudo ku ata janë, në institucionet e zaptuara nëpërmjet përdorimit të këtyre banditëve në zgjedhje apo përdorimit të parave të pista për të blerë zgjedhjet.
Shqiptarët sot janë të bashkuar për të hedhur në kosh qeverinë më të kriminalizuar të historisë së Shqipërisë.