Reforma në Drejtësi do të njohë sot një prej momenteve më të rëndësishme, pasi Këshilli i Lartë i Prokurorisë do të ngrejë strukturën e posaçme antikorrupsion, e njohur si SPAK.
Me emërimin e prokurorëve, KLP bëri të ditur se do të hapë edhe garën për drejtues të kësaj Prokurorie.
“Do bëhet miratimi i projektakteve për emërimin e 8 (tetë) prokurorëve në Prokurorinë e Posaçme: Altin Dumani, Arben Kraja, Behar Dibra, Edvin Kondilli, Elida Celami (Kaçkini), Ened Nakuçi, Enkeleda Millonai dhe Klodian Braho. Shpallja e garës për pozicionin e drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme. Miratimin e metodologjisë për vlerësimin e kandidatëve për drejtues të Prokurorisë së Posaçme”, njoftoi KLP-ja. Struktura e Posaçme Antikorrupsion është struktura e posaçme që do të hetojë dhe çojë në gjykatë dosjet e korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Me ngritjen e SPAK-ut do të shkrihet Gjykata për Krime të Rënda, kompetencat e së cilës do t’u kalojnë gjykatave në rrethe. SPAK dhe Byroja Kombëtare e Hetimit do të jenë struktura të specializuara për hetimin e korrupsionit dhe ligji parashikon se BKH-ja do të jetë në varësi të SPAK-ut, por gjithashtu edhe një njësi që kryen hetime të pavarura.
Por pikërisht në këtë ditë, kryeministri Edi Rama do propozojë një reformë paralele me Reformën në Drejtësi.
Dje, Kryeministri Rama paralajmëroi se këtë të hënë do të paraqesë platformën kundër atyre që ai i ka quajtur si pjesëtarët e grupit kriminal KÇK (Kap Çfarë të Kapësh). Në mes të Reformës në Drejtësi, ku pritet që shumë shpjet të ngrihen disa nga institucionet kyçe, si SPAK, BKH apo edhe Gjykata Kushtetuese, kryeministri shkruan se kjo paketë do të jetë një mekanizëm i ri shtesë në luftën kundër krimit dhe korrupsionit. Përmes një postimi në rrjetet sociale, ai thekson se kjo nismë e re ligjore është bërë me ndihmën e partnerëve ndërkombëtarë, të njëjtët, sipas tij, që asistuan në bërjen e Reformës në Drejtësi dhe që kohët e fundit janë vënë në qendër të kritikave nga disa aktorë brenda vendit, që sipas Kryeministrit janë të çmendur.