Po mbushet java që nga tragjedia më e fundit natyrore, tërmeti i26 nëntorit, dhe ende ka njerëz të pashpresë e që vuajnë qoftë edhe për bukë. Me gjithë vullnetarët e shumtë, për fat të keq ka mungesë organizimi. Ndihmat ose përqendrohen në një vend ose nuk shkojnë fare në disa vende ku ka realisht mungesë ushqimesh, strehimi e veshmbathje. Komisionet, komitetet, skuadrat apo grupet e ngritura nuk janë edhe aq efikase, pasi nuk ka një rakordim të punës, masave dhe evidentimit të plotë të dëmeve. Nga ana tjetër, që ditën apo orën e parë të tragjedisë, Rama dhe grupi i tij, përfshi ERTV, janë vënë në ballë të propagandës. Kur shikon Ramën në vende të ndryshme, me poza njëra më e pikëlluar se tjetra, kush shikon pas tij individë që bëjnë sikur shqetësohen realisht, të duket sikur qeveria e ka situatën në kontroll. Për fat të keq njeriu fillon e sensibilizohet edhe me të keqen dhe pas propagandës, fatkeqët e shikojnë se mjerimi dhe dhimbja e tyre është shumë e madhe. Rama nuk ndalet. I mori shpirtin edhe ekipit të ERTV. Gjezdis vend më vend, para dhe pas kamerat. Gjithandej spektakël mjerimi. Përveç ca çadrave, jo për të gjithë e ca sistemimeve të përkohshme në hotele që kjo nuk mund të zgjasë shumë, një apo dy javë, asgjë tjetër. Duhet të nisë dëmshpërblimi real për familjet që kushdo që ka nevojë vërtet të strehim, për ushqim, të gjejë mundësinë të sistemohet te të afërm, ose me qira dhe të vijojë jetën normalisht, derisa të ketë një strehë nga qeveria. Ata njerëz nuk mund t’i lesh në pritje nëpër salla shkollash, hotele e aq më keq në çadra. Duhet ët ishin përpiluar lista, me të shpërndaheshin të ardhura për familjet e pastreha, të niste dëmshpërblimi real, jo të pritej sandviçi apo biskotat nga ndihmat. Rama duhet të lerë shakatë e zeza në këtë fatkeqësi, të lerë kamerat dhe të organizojë punën, jo me njerëz apatikë, të lodhur që as në rastin më të mirë nuk e kanë bërë punën e tyre, por me njerëz vitalë, që ngjallin shpresë, por duhen grupe që janë të interesuara për të mbyllur plagët realisht. Ministrat dhe nëpunësit e tij janë të lodhur, të diskredituar, të korruptuar, njerëz të propagandës jo veprimit. Dhe fatkeqësisht është edhe faji i tyre aty, me apatinë, mungesën e kontrollit dhe mos bërjen e punës si duhet. Për fat të keq pasojat do jenë të mëdha. Por për kryeministrin ka rendësi propaganda e tij, ERTV, jo media tjetër që zbulon defektet, mangësitë, çorganizimin, korrupsionin, jo ajo që i paraprin të keqes. Ai do atë media që e fsheh, ajo që i tregon “lotët” e tij, jo lotët e nënës, gjyshes apo fëmijës që vuan deri në mjerim e pikëllim!