Shqipëria si kryesuese e OSBE mori të hënën ‘shuplakën’ e parë nga vetë ky organizëm.
Përfaqësuesi i OSBE për Median, Harlem Desir reagoi pasi presidenti Ilir Meta ktheu mbrapsht ligjet për antishpifjen.
Ai tha se është i gatshëm të punojë me autoritetet shqiptare për përmirësimin e ligjit të shtypit, veçanërisht atyre pjeseve që lidhen me gjobat dhe parimin e proporcionalitetit siç parashikohet në ligjin ndërkombëtar.
Për ironi, Desir këtë herë reagoi me një deklaratë zyrtare, jo si atëherë kur u duk se mbështeti Edi Ramën për nismat ligjore me disa postime personale në rrjetet sociale.
Revista më e madhe europiane, Spiegel, e thekson diçka të tillë në një artikull.
Shkrimi tregon se si shtetet e vogla po marrin drejtimin e organizatave të mëdha. Kështu, Kroacia do drejtojë presidencën e BE, Estonia do bëhet pjesë e Këshillit të Sigurisë së OKB si anëtare jo e përhershme, kurse Shqipëria do drejtojë OSBE-në.
“Shqipëria merr përsipër OSBE-në- por ka nevojë vetë për të,” shkruan revista.
Detyrat e OSBE janë vëzhgimi i zgjedhjeve, kujdesi për lirinë e medias dhe mbrojtja e minoriteteve.
“Kryeministri Edi Rama i Partisë Socialiste aktualisht po qeveris pa një opozitë parlamentare, sepse Partia Demokratike e krahut të djathtë po bojkoton parlamentin. Zgjedhjet lokale në qershor u mbajtën po ashtu pa opozitën, e cila akuzon PS-në për manipulim. Politika e vendit është gllabëruar nga korrupsioni dhe krimi i organizuar,” shkruan revista.