Shkodra si tabele qitje për Qeverinë

Hënë, 20 Prill 2020 16:11
Nga Agron Gjekmarkaj 
 

Prej ditësh, edhe në Shkodër ka pasur përhapje të koronavirusit e po prej aq kohësh çuditë nuk kanë të sosur.

Ndonëse e gjithë jeta sociale u mbyll në shtëpi, propaganda e qeverisë zuri kupën e qiellit, duke futur në mullirin e saj imazhin e Shkodrës dhe të kryetares së bashkisë. Gjithkush me kujtesë të packatun harrese e kujton sesi atje votimet moniste të Edi Ramës dolën më lakuriq se ai vetë në një resme të azdisur ashiku, vite më parë ranishtave të Francës tek lëpihej nga rrezet e ndezullohej hareje.

Shkodra u karantinua në shtëpi më 30 qershor të një viti më parë, teksa kandidati i Kryeministrit kthehej nga kishte ardhur i zënë në kurthin e ligjit të dekriminalizimit dhe të së kaluarës së tij, që e pat krypur si i kishte dashur zemra e hoveve djaloshare. Qyteti, i cili nuk është joshur kurrë nga asnjë ofertë e së majtës, as nga retorika e Ramës me Hilë Mos e Gjergj Fishtë, nga frika e pushtetit jo e jo, nuk begenisi t’i ndryshojë shijet e veta politike asnjëherë, i ka mbet eshkë në zemër ‘Odiseut’ të Rilindjes. Po kaq, tempi luftarak i zonjës Voltana Ademi dhe mosimpresionimi nga përdorimi i Prokurorisë dhe banditëve ndaj saj asokohe e bën nervoz me gratë e Partisë e Qeverisë, të cilat trishtohen për trishtimin e tij, gëzohen për gëzimet e tij dhe qajnë nga qortimet e tij, po veç kaq.

Tani ia behu dushmani i vockël nga Kinë e largët me emrin Covid-19, tipike për një agjent sekret si emërtesë. U përhap ai kudo nëpër Shqipëri, aq sa çka bërë ymër Zoti, ku më pak e ku më shumë dhe pak më vonë ia behu në qytetin e veriut për të krijuar një novelë të re. Një plojë e madhe shpërtheu në Tiranë. A thua se shkodranët nuk janë njerëz si të tjerët?! A thua se ata nuk e kanë të drejtën e fatit të keq për t’u sëmurur si të tjerët?! A thua se ata janë fajtorë dhe e bëjnë me dashje për të dëmtuar Edi Ramën?! A thua se Aldo Bumçi, i veshur tebdil si shofer taksie me kasketë mbi krye dhe i porositur nga opozita, ka shkarkuar një thes më viruse në piacë të Shkodrës për të helmatisur miletin? Pandehma, hamendësime, shpifje, akuza, teori nga gjeneralët e deri të kapterët e agjitpropit qeveritar mbushen ekranet dhe mediat online.

U hiqej shkodranëve ajo që ata e kanë pasur më shumë se të gjithë të tjerët, qytetaria dhe edukata sociale, edhe kur ndokush tjetër flinte me dhinë ngjitur gërxheve. Cilësoheshin pothuaj si injorantë e mish për top, paçka se të gjithë proceset e mëdha kulturore, gjuhësore e kombformuese ishin mbrujtur në atë zonë që njihet si gropa e Shkodrës. Po ku i dinë të gjorët ato subjekte motmotesh të zënë me adhurimin e ‘Skënderbeut e Odiseut’ të shkrirë në një.

E mbi të gjitha, akuzohej Zonja Ademi, e cila nuk sillej si Subashi vetulltrashë e ngrysur i Fierit apo Zigur Leli i Vlorës, Pandeli Filo i Korçës, të cilët një e dy falënderojnë Kryeministrin e Zotin për vënien tërbiet të koranavirusit. Ajo u rrëzoi propagandën e koronës, duke dëshmuar që në të vetmin vend ku kontrolli i qeverisë nuk është i plotë, kurba e virusit është një tjetër. Në Shkodër, drama e koronavirusit është shfaqur e plotë se atje e vërteta nuk u mbulua dot. Mërzi shkaktoi ekspozimi i saj! Plasi Ademi t’u u thanë se nga Hani i Hotit hyn një dynja e tërë e askush nuk merr masa, që testime bëhen pak, oh sa pak, që Policia nuk ndërhyn në përputhje me gjendjen e jashtëzakonshme, se diskriminimi në shpërndarje ndihmash bërtet me të madhe.

Një ditë, si ‘shtatë herë pika’, në Shkodër shkeli ministri i Brendshëm, i cili me shumë mundim gjuhësor këlthiti disa fyerje irrituese dhe u kthye në Tiranë, i bindur që ia kishte bërë zemrën mal shefit të tij.

Po ashtu nuk qe e thënë. Juri Kim qe vran e kthjellë mbi këto hone, bisedoi ngrohtë me Voltana Ademin, siç u pa nga deklaratat për shtyp. Ministri u zbyth e kafshoi gjuhën. Iu desh të bënte kurban Çesk Milljen e ngratë, mikun e vjetër të vetin, prefektin, i cili kishte zbatuar atë thënien humoristike ‘se komunistët e Shkodrës janë ma demokratë se demokratët e Skraparit’, me një mesazh në ‘Ëhatsapp’, ku e akuzonte për mungesë lidershipi me gjasë, duke çuar Lamellarin si turist. Shkodra i duhet qeverisë si tabelë qitjeje për të shkarkuar aty të gjitha dështimet e veta, kryetarja legjitime e qytetit po aq, me tahmahin e pastër për të bërë opozitën bashkëfajtore në menaxhimin e pandemisë. Kjo është një tjetër dëshmi për të gjithë koleksionistët e tyre sesi Rama dhe aparati i tij komunikativ nuk kursejnë asgjë dhe askënd për të mbuluar me gënjeshtra lakuriqësinë e fakteve.

Login to post comments