Z. Rama, ambasadori Lu nuk është Vlahutini

Premte, 11 May 2018 22:29

Sot, ambasadorit amerikan Donald Lu ju sos durimi me kryeministrin Edi Rama. Ky i fundit e ka përdorur vazhdimisht emrin e tij për të dalë nga situatat e sikletshme kur është pyetur për kanabizimin, kur është pyetur për futjen e Elvis Roshit, Arben Ndokës, Armando Prengës në politikë , kur është pyetur për mos-arrestimin e Tahirit, emërimin e Arta Marrkut, e madje kur në siklet e vendosin qytetarët e Lezhës e Laçit në takimet e bashkëqeverisjes. Së fundmi Rama, nga foltorja e Parlamentit, nxorri si mburojë Donald Lu-në për të mbrojtur vartësin e tij që bën e zhbën ligje në mbrojtje të vëllait trafikant. Abuzimi i Ramës me justifikimin e gatshëm “ kur ambasadori nuk shqetësohet për këtë apo atë çështje...” e ka shqetësuar vërtet z. Lu. “Kryeministri duhet të flasë në emrin e tij dhe ne do të flasim në emrin tone”, u përgjigj sot në reagimin e shkurtër ambasadori amerikan.

Me këtë strategji Rama është mësuar, dhe një ndihmesë të madhe këtu ka ambasadorja e BE-së në vendin tonë Romana Vlahutin. “Flokëkuqja” term i cili ka fituar popullaritet në emërtimin e Vlahutinit, si në media ashtu edhe në opinionin publik, e ka ushqyer vazhdimisht kryeministrin që sa herë të jetë përballë skandaleve qeverisëse, mbështetjen ta kërkojë, edhe sa për fasadë, te Vlahutini.

“NewEuropë” publikoi pak kohë më parë për një mbështetje të dyshimtë e të vazhdueshme të Romana Vlahutinit kundrejt kryeministrit Rama.

”A janë të vërteta dyshimet e lidhjes së supozuar mes Sorosit, qeverisë? Nuk është një sekret që bashkëshorti i Romana Vlahutin është gjithashtu pjesë e bordit të  “Fondacionit Soros” në Bosnjë duke qenë gjithashtu aktiv në fushatën kundër Donald Trump. Thuhet se  Soros ka përfituar edhe nga BE-ja dhe tenderat qeveritare në Shqipëri” shkruhej pak kohë më parë prestigjiozen belge.

Që nga ardhja e saj në Tiranë, detyrën zyrtarisht e mori në 3 tetor 2014 kur dorëzoi kredencialet tek Presidenti Nishani, Romana Vlahutin më shumë se sa një ambasadore e Bashkimit Europian në Shqipëri është dalluar si një mbështetëse e qeverisë e sidomos Partisë Socialiste.

Në thuajse 4 vite që po qëndron të Tiranë, Vlahutin është ndoshta e vetmja ambasadore e akredituar në Shqipëri që nuk ka folur asnjëherë për kanabisin. Në kushtet kur kjo problematikë në vitet e fundit ka marrë përmasa kombëtare e ndërkombëtare, ambasadorja e BE-së nuk ka shprehur asnjë mendim apo qëndrim për çështjen , heshtje e cila e ka vënë haptazi në krah të qeverisë “Rama”. Kjo i pëlqen edhe Ramës.

Po ashtu Vlahutin ka injoruar sistematikisht dekriminalizimin, edhe pasi disa prej deputetëve të përzgjedhur nga PS humbën mandatin e disa të tjerë e dorëzuan në kuadër të këtij ligji.

Qershinë mbi tortë shefja e Delegacionit të BE-së në Shqipëri, ambasadorja Romana Vlahutin, e vendosi pas zgjedhjeve parlamentare. Ajo deklaroi për DW se e shikonte shumicën e votave për PS-në si një mandat të qartë për reformatorin Rama. /55news.al

Modifikuar më Premte, 11 May 2018 22:39
Login to post comments