Kryeministri Edi Rama takoi paraditen e sotme presidentin francez, Emmanuel Macron.
Në faqen e tij në Facebook, kryeministri postoi video nga momenti zyrtar i pritjes në pallatin “Elysee”.
Veç videos nuk ka ende njoftim zyrtar lidhur me këtë takim.
Takimi mes tyre nuk dihet sa ka zgjatur, sa kohë që takimi i radhës i Presidentit ishte ai i orës 17:00 e pasdites me Ministren e Drejtësisë.
Deri më tani, kryeministri Edi Rama nuk ka përcjellë ndonjë koment për takimin e zhvilluar.
Është shpërndarë vetëm një video, ndërsa nuk ka ende asnjë informacion mbi çfarë është thënë apo si e ka “mahnitur” Rama, presidentin Macron, siç kishte premtuar pak ditë më parë.
Ajo që dihet me siguri është se, Presidenti i Francës është njohur paraprakisht me videon e përgjimit që PD-ja publikoi dy ditë më parë, ku demokratët pretendojnë se, vëllai i ministrit të Brendshëm, Agron Xhafah, vijon të ushtrojë trafikun e drogës.
Menjëherë pas publikimit të videos, Partia Demokratike e ka përcjellë videon në faqen e saj në ‘Twitter’, duke i bërë “tag” edhe ministrit të Brendshëm francez, Gérard Collomb.
Takimi i kryeministrit Rama me presidentin Macron vjen vetëm pak ditë përpara se Këshilli Europian, të japë qëndrimin e tij për hapjen e negociatave me Shqipërinë.
Franca është një nga skeptikët për zgjerimin e BE, ndërsa kryeministri Rama do t’i kërkojë Macron votën pro për Shqipërinë.