Kombëtarja kroate ka vendosur që të lumturojë të gjithë familjet e varfra në shtetin e tyre, duke akorduar për ta paratë e përfituara nga pjesëmarrja dhe arritja në Botëror.
Rreth 24 milionë euro do të shkojnë për një fondacion kroat, i cili do të marrë përsipër të paguajë të paktën një javë pushime për të gjithë familjet e varfra kroate.
Lajmi u bë i ditur nga vetë trajneri Zlatko Daliç, që nëpërmjet një letre të hapur, dërgoi një mesazh të fortë për të gjithë klasën politike kroate.
Ai i cilësoi qeveritarët kroatë si anëtarë të organizatave kriminale, që kanë varfëruar vendin në gjithë këto vite dhe u bëri thirrje të mos afrohen pranë kombëtares së futbollit, pasi nuk janë të mirëpritur.
Ja letra e plotë e Daliç, që po bën xhiron e botës:
Ky brez ka treguar se një grup lojtarësh të mëdhenj mund të arrijnë në krye të botës pavarësisht nga rëndësia e vendit, buxheti apo stadiumet. Po i shkruaj këto rreshta për shkak të situatës së vështirë në Kroaci. Kroacia është vendi më i varfër në Bashkimin Evropian, i qeverisur nga anëtarët e asaj që konsiderohet një organizatë kriminale. Kroacia është një vend nga i cili miliona njerëz kanë ikur në 20 vitet e fundit. Sot, në Kroaci, pensionistët tanë nuk janë në gjendje të kryejnë nevojat themelore, të rinjtë nuk mund të përballojnë arsimin, shëndeti po shkatërrohet dhe gjyqësori është i korruptuar. Kërkoj nga politikanët dhe të gjithë përfaqësuesit e autoritetet që kanë udhëhequr popullin tim drejt ferrit dhe mjerimit, drejt dëshpërimit dhe varfërisë, të largohen nga ekipi kombëtar kroat.
Nuk jeni të mirëseardhur në dhomat e zhveshjes, sepse nuk duam të shtrëngojmë duart apo të bëjmë fotografi me ju. Ju jeni ata që e keni bërë kroatët njerëzit më të varfër në Evropë. Kroacia ka më shumë se një mijë kilometra bregdeti dhe kemi ende fëmijë që nuk e kanë parë kurrë detin. Fëmijë që shkojnë në shtrat të uritur sepse prindërit e tyre, janë të papunë. Njerëzit që e kanë bërë këtë në vendin tonë nuk janë të mirëpritur. Respektojeni vendimin tonë, mos e mbani fanellën kombëtare për të promovuar suksesin tuaj sepse do të minonte vlerën e punës sonë. Anëtarët e ekipit kombëtar kroat të futbollit janë me popullin kroat dhe do të bëjnë çmos për ta ndihmuar atë, përtej fitoreve. Paratë e fituara nga Botërori do të akordohen për t’u krijuar mundësinë familjeve të varfra, që të kalojnë të paktën shtatë ditë pushime në bregun kroat. Është më e pakta që mund të bëjmë për më të dobëtit”, shkruan Daliç në letrën e tij.