Qeveria franceze po konsideron shpalljen e gjendjes së emergjencës, pas periudhës më të keqe të trazirave ndër vite. Protestuesit e maskuar kanë marshuar në qendër të Parisit, duke djegur makina dhe dyqane dhe përplasur me policinë, në trazirën më të madhe në kryeqytet që prej vitit 1968.
Kjo ka sjellë sfidën më të madhe ndaj Emmanuel Macron në 18 muajt e tij të presidencës. Macron dhe ministrat kryesorë janë takuar për të konsideruar shpalljen e gjendjes së emergjencës për të parandaluar përsëritjen e protestave.
Revolta mbi rritjen e taksës së karburantit dhe kostos së lartë të jetesës, nisi papritmas më 17 Nëntor dhe është përhapur shpejtë nëpërmjet rrjeteve sociale. Protestuesit kanë bllokuar rrugët në të gjithë Francën, duke ndaluar aksesin ndaj qendrave tregtare, fabrikave dhe depove të karburantit.
Gjatë kthimit të tij nga samiti i G20 në Argjentinë, Macron vizitoi menjëherë Harkun e Triumfit dhe lagjet përreth ku makinat dhe dyqanet ishin djegur. Lideri francez foli me policinë dhe zjarrfikësit në një nga lagjet pranë bulevardit Cmaps Elysees, ndërkohë që shumë kalimtarë kërkonin dorëheqjen e tij.
Protestat nisën si një kundërpërgjigje ndaj rritjes së taksës së karburantit nga Macron, por morën vrull nga pakënaqësitë ndaj reformave të tij ekonomike, që sipas shumë votuesve favorizojnë të pasurit dhe bizneset e mëdhenj. Sipas Macron, taksat më të larta të karburantit duhen për të luftuar ndryshimin klimatik.