Mesazhi i Presidenti Meta: Rinia meriton kushte më të mira për arsimim e punësim

Tuesday, 18 December 2018 18:57

Presidenti Shqipërisë, Ilir Meta ishte i pranishëm mbrëmjen e sotme në 25 vjetorin e pranisë së Organizatës Ndërkombëtarë të Migrimit në Shqipëri. Në këtë aktivitet, presidenti Ilir Meta ka mbajtur fjalën e rastit, ndërsa është shprehur se Shqipëria është një ndër vendet me emigrim të lartë.

Më poshtë pjesë nga fjala e Presidentit Ilir Meta:

Javën e kaluar mora pjesë në Konferencën e Nivelit të Lartë të Kompaktit Global për Migrim të Sigurt, të Organizuar dhe të Rregullt, zhvilluar në kuadër të OKB-së në Marrakesh.
Gjatë këtij takimi, pjesëmarrësit pohuan gjerësisht se çështja e migracionit ka marrë përmasa shqetësuese, duke rrokur natyrshëm vëmendje dhe angazhim të shtuar ndërkombëtar, sidomos europian.
Duke njohur faktin dhe duke pranuar natyrën përsëritëse të tij, u evidentua nevoja për një marrëveshje globale, jo detyruese, që synon të menaxhojë më mirë fenomenin e migrimit në nivel lokal, kombëtar, rajonal dhe global, duke tkurrur kështu rreziqet që migrantët, ose refugjatët ndeshin në faza të ndryshme të rrugëtimit të tyre.
Shqipëria nuk mund të ishte indiferente në këtë debat, për shkak të historisë së saj si vend origjine, tranziti por edhe vendmbërritje e emigrantëve dhe refugjatëve.
Në këtë kontekst, ne e kuptojmë fort mirë se migrimi ka të bëjë mbi të gjitha me jetën dhe dinjitetin njerëzor. Ndaj të gjithë duhet të solidarizohemi, veçanërisht për të garantuar dinjitetin e atyre që largohen nga rreziqet reale në kërkim të azilit, të zonave më të sigurta, të një jete më të mirë.

Në mënyrë të veçantë mbrojtje kërkojnë gratë dhe fëmijët që janë të ekspozuar ndaj rreziqeve dhe abuzimeve skllavëruese.

Migrimi është një fenomen shumë kompleks dhe i vështirë.

Edhe nga përvoja jonë, shpesh e dhimbshme, kemi mësuar se kjo sfidë mund të përballet vetëm në solidaritet dhe partneritet.

Ne i jemi mirënjohës Bashkimit Europian dhe vendeve të tij anëtare për ndihmën që i kanë ofruar Shqipërisë dhe shqiptarëve në ato kohë të vështira.

Sot Shqipëria, duke marrë përgjegjësitë e saj bashkëpunon ngushtë me Agjencinë e Kufirit dhe Rojes Bregedtare Europiane për menaxhimin e kufirit të jashtëm të BE, të prekur nga fenomeni i refugjatëve dhe emigrantëve që vijnë kryesisht nga Lindja e Mesme.

Këtë partneritet e dëshmon edhe marrëdhënia jonë me IOM, prania e së cilës në Shqipëri ka qenë gjithmonë një aset i çmuar, si për menaxhimin e situatave të krizave, ashtu edhe për ndërtimin e strategjive afatgjata për qeverisjen sa më efikase të migracionit në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar.

Në këto 25 vite bashkëpunim tek IOM-i kemi gjetur gjithmonë një partner të besueshëm dhe mbështetës për të përballur këtë fenomen, në cilëndo formë është shfaqur ai.

Strategjia Kombëtare për Qeverisjen e Migracionit që ju do të prezantoni sonte, është një tjetër produkt konkret i bashkëpunimit efikas ndërmjet Shqipërisë dhe IOM, dhe unë ju përgëzoj për punën e bërë.

Dua të vlerësoj gjithashtu punën e përbashkët për të nxjerrë në pah anët pozitive të migracionit nëpërmjet angazhimit të diasporës shqiptare, si agjentë të nxitjes së investimeve serioze të huaja në Shqipëri.  

Emigracioni është prej vitesh një element tejet i rëndësishëm në ekonominë, në raport me remitancat që u vijnë në ndihmë familjeve shqiptare dhe të gjithë vendit.

Në 2017 dhe 2018, ‘remitancat’ arritën rreth 1.15 miliard euro, ose rreth 12% e GDP-së.

Është shumë e rëndësishme që këto të kanalizohen në mënyrë më efikase drejt veprimtarisë që nxit prodhimin vendas dhe zhvillon ekonominë e vendit.

Kjo është njëra anë e medaljes, por nga ana tjetër ne duhet të tregohemi vigjilentë ndaj përsëritjes së ciklit migrator të shqiptarëve jashtë vendit.

Të dhënat e ‘Gallup’, të publikuara javën e kaluar, ku Shqipëria renditej në vendin e katërt në botë me prirjen më të lartë për emigrim, padyshim janë shumë shqetësuese.

Kjo është një këmbanë alarmi që meriton vëmendje maksimale dhe analizë të thelluar mbi shkaqet dhe motivet që i shtynë bashkëqytetarët tanë drejt kësaj vendimmarrjeje të dhimbshme e dëshpëruese.

Ky fenomen, përveç se mplak Shqipërinë dhe shoqërinë tonë, varfëron burimet më të mira profesionale dhe intelektuale duke dekurajuar zhvillimin e qëndrueshëm dhe më të shpejtë të vendit.

Edhe Fondi Monetar Ndërkombëtar vërejti me shqetësim se Shqipëria ka nevojë për rritje më të lartë ekonomike dhe investime në sektorë prioritarë, si arsimi dhe shëndetësia për të zbutur prirjen e popullsisë për të emigruar.

Ndaj le të punojmë të gjithë së bashku për t’u dhënë më shumë besim, sidomos të rinjve, duke u krijuar atyre kushte dhe mundësi më të mira për arsimim dhe punësim, që të shprehin potencialet e tyre të vërteta në vend, por edhe potencialet e të gjithë vendit për një zhvillim më të mirë e më të qëndrueshëm.

Modifikuar më Tuesday, 18 December 2018 18:59
Login to post comments

Lajmet e fundit

Reagon Elon Musk: Komiteti im është anti-Soros, prokurorët e tij nuk po luftojnë krimin, kjo është çmenduri

Globi

Reagon Elon Musk: Komiteti im është anti-Soros, prokurorët e tij nuk po luftojnë krimin, kjo është çmenduri

  Miliarderi Elon Musk reagoi pasi një prokuror i Sorosit deklaroi se do ngrejë padi ndaj tij, pasi e akuzon se po mbledh vota për republikanët në SHBA. Prokurori Larry Krasner e akuzon Musk...

Mbyllet protesta/ Paloka: PPE deklaron se do mbështesë PD-në në votime dhe në luftën e saj për zgjedhje të lira

Politikë

Mbyllet protesta/ Paloka: PPE deklaron se do mbështesë PD-në në votime dhe në luftën e saj për zgjedhje të lira

  Deputeti demokrat, Edi Paloka, deklaroi në mbyllje të protesës së ligjvënësve demokratë përpara Parlamentit Europian në Strasburg se kanë marrë mbështetjen e Partive Popullore Europiane. “Meqë grupi që është nëpër takime...

'Shqipëria ka nevojë për zgjedhje të lira dhe të ndershme', Spaho: Krimi i organizuar, presion ndaj votuesve

Politikë

'Shqipëria ka nevojë për zgjedhje të lira dhe të ndershme', Spaho: Krimi i organizuar, presion ndaj votuesve

  Deputetë të opozitës po protestojnë gjatë ditës së sotme para selisë së Parlamentit Evropian. Sipas opozitës shqiptare, Rama synon “asgjësimin e opozitës përmes burgosjeve politike, duke rikthyer Shqipërinë 34 vjet më pas”. Deputeti...