Në Tiranë, ndërrimi i matësave të uji përbën shpesh një shqetësim për qytetarët. Kryeqyteti rezulton të ketë nivelin më të lartë të ndërrimeve të matësave, krahasuar me disa nga qytetet e mëdha të Shqipërisë, e po ashtu dhe koston më të lartë. Vetëm për vitin 2017 rezulton që banorët e Tiranës të kenë paguar mbi 900 mijë euro për vendosjen e aparaturave të reja
Enver Palushi la Peshkopisë vite më parë, për t’u vendosur në kryeqytet. Shkak u bë nevoja për kurimin e djalit paraplegjik. Enveri jeton në një apartament në rrugën “Fuat Toptani”, ku thotë se nuk ka gjetur paqe me matësin e ujit. “Kam paguar kontratën e ujit tek ujësjellësi dhe sahatin e ka vendosur firma e ndërtimit të pallatit. Herën e dytë e ka ndërruar ujësjellësi dhe kam paguar 1800 lekë vetë dhe herën e tretë, në vitin 2016 e kam paguar vetë, 45 mijë lekë të vjetra”.
Ndërrimin e matësve të ujit, UKT e kryen bazuar në Kodin e Ujit, ku specifikohet, ndër të tjera, se ujësjellësi e ndërron atë kur ai mbush një periudhë 5-10 vjeçare, megjithëse mund të mos ketë shfaqur asnjë problem.
Të dhënat zyrtare të vëna në dispozicion nga vetë UKT, tregojnë se për vitin 2017 janë ndërruar 26.650 ujë matës, ose 12.9 përqind e totalit. Trendi duket në rritje dhe për 2018, ku vetëm në tremujorin e parë janë ndërruar 8887 të tillë.
Shifrat rezultojnë të larta nëse i krahasojmë me një tjetër qytet të madh si ai Durrësit, ku përgjatë vitit 2017 janë ndërruar 6576 ujëmatës ose 8.2 % e matësve, ndërkohë që deri në fund të muajit tetor të këtij viti 3476 aparate, më pak se gjysma e atyre që në Tiranë janë ndërruar vetëm në tre muajt e parë të vitit.
Nga numri i ujëmatësve të ndërruar në vitin 2017, rezulton se konsumatorët i kanë paguar Ujësjellësit Tiranë, pak më shumë se 900 mijë euro.
Cmimi prej 4200 lekësh rëndon veçanërisht pensionistët. Po në rrugën “Fuat Toptani”, banon edhe Hysnije Osmani. Për të tarifa e matësit të ndërruar nga UKT-ja është e lartë. Pensionistes vitet e fundit i është ndërruar disa herë matësi i ujit: “Unë e kam ndërruar tre herë. Më thanë mua e ke me ofertë, e hoqën atë dhe vunë tjetër. Muajin tjetër kur kam shkuar (prerje) unë bile kam qarë se unë vetëm 90 mijë marrë pension dhe me çfarë ta paguaj unë.”
Edhe vlera e matësit prej metali që vendoset nga UKT, është më e lartë se në katër qytete të mëdha në vend. Në Durrës një matës uji që vendoset nga ujësjellësi kushton 3500 lek. Në Elbasan kosto e një ujëmatësi shkon deri në 2000 lekë dhe në Shkodër 3000 lekë. Ndërsa në Vlorë qytetarët janë të lirë ta blejnë atë vetë dhe paguajnë pranë Ujësjellësit vetëm 1000 lekë për instalimin.
Dhe në qytetin e Tiranës konsumatori mund ta blejë matësin e ujit në një pikë shitje të certifikuar dhe paguan më pas tek UKT vetëm vlerën e montimit. Një veprim i tillë dë të kushtonte 3100 lekë, duke kursyer në këtë mënyrë 1100 lekë.
Sipas ligjit konsumatori njoftohet një muaj përpara se të ndërrohet ujëmatësi nga ujësjellësi, që ai të mund ta blejë vetë vetë me ujëmatësin nëse dëshiron. Ujësjellës Kanalizime Tiranë thotë se e realizon këtë proces, duke përdorur disa forma, njoftimi i konsumatorit me shkrim, nëpërmjet administratorit dhe gjithashtu kujdeset që të afishojë në vende të dukshme të godinës njoftimin me shkrim.
Por, Enver Palushi pretendon të kundërtën, duke treguar se ndërrimin e ujëmatësit e mësoi kur
shkoi të paguante faturën e konsumit të ujit: “Kur të ndërrohet sahati duhet të njoftojnë ato dhe jo të ju mbushet mendja dhe vijnë e ndërrojnë sahatin, pa njoftuar përgjegjësin e pallatit, hiç asgjë”.
Ashtu si Enveri dhe Hysnija, 83 % e abonentëve të UKT-së janë familjarë. Trendi shqetësues i ndërrimit të matësve pasqyrohet edhe në përgjigjen zytare që UKT dha për “Zërin e Amerikës”. Për vitin 2017 janë depozituar 39 ankesa lidhur me ujëmatësat. Ndërsa deri në muajin gusht të këtij viti, janë depozituar 61 ankesa. Pavarësisht informacionit të ofruar, asnjë prej titullarëve të Ujësjellës Kanalizimeve Tiranë nuk pranoi të jepte shpjegime para kamerave.
Edi Fero, nga Shoqata e Konsumatorit Shqiptar ngre dhe shqetësimin e cilësisë së ujëmatësve: “Duhet të ketë cilësi të një standardi të caktuar, çka do të thotë se duhet të jetë bronz. Ne kemi konstatuar sahatë që janë gizë dhe janë të lyer me varak të përngjashme me ngjyrën e bronzit. Çka do të thotë se i ul jetëgjatësinë sahatit dhe ai nuk është një sahat i një cilësie të mirë.”
Lidhur me blerjen e ujëmatësve, UKT bën me dije se kjo realizohet nëpërmjet një procesi transparent dhe të ligjshëm prokurimi. Nga analizimi i tenderave të zhvilluar në vitet 2017-2018, rezulton se në njërin rast një kompani e ka fituar e vetme tenderin pa konkurrentë dhe në rastin tjetër ka pasur ankesa për tenderin, që shkon në vlerën rreth 1.3 milion euro pa TVSH.
* Shkrimi u përgatit për Zërin e Amerikës nga gazetarët Geri Emiri dhe Ardit Hoxha të Qendrës Shqiptare për Gazetari Cilësore