Britania ofron eksperimentin e 'imunitetit të masës'/ Ja sa njerëz rrezikojnë të vdesnin nga koronavirusi

Saturday, 14 Mars 2020 16:40

Ky koment nga Sir Patrick Vallance, një nga dy autoritetet më të rëndësishme mjekësore në qeverinë e Boris Johnson ka shkaktuar shumë debat. 
Kjo pasi sugjerojnë një bast të madh nga ekzekutivi britanik, duke marrë parasysh që sot vdekshmëria e Covid-19 në botë është mes 1 dhe 6 përqind.
Mediat britanike shkruajnë se imuniteti i turmës ose i masës mund të jetë rruga që do të zgjedhë qeveria.
“Po, koronavirusi është një sëmundje e keqe, por në shumicën e rasteve kalon vetëm me simptoma të buta,” tha Vallance. 
“Virusi do të jetë sezonal dhe do të kthehet dimrin tjetër. Kjo është arsyeja se përse është e rëndësishme që të zhvillohet imuniteti i turmës, që të mbahet nën kontroll afatgjatë virusi”.
Por Vallance flet për imunitetin e masës të fituar përmes infektimit me koronavirus, jo përmes vaksinimeve masive, siç ndodh zakonisht. 
Gjithashtu sepse një vaksinë për Covid-19 nuk ekziston akoma dhe mund të arrihet vetëm brenda një viti. “Me 60 përqind të popullatës së infektuar nga virusi do të kishim imunitetin e grupit,” tha Vallance.
Teoria e Vallance përfaqëson një rrezik të madh që mund të rezultojë në vdekjen e të paktën qindra mijëra britanikëve me qëllim zhvillimin e imunitetin brutal të masës dhe për të ndalur infeksionin. 
Britanikët janë 67 milionë, 60 përqind i bie rreth 40 milionë. Edhe me përllogaritjen e një vdekshmërie prej 1 përqind, sërish bëhet fjalë për të paktën 400 mijë të vdekur në skenarin më të mirë. 
Për të mos përmendur se kujdesi shëndetësor britanik mund të shembet shpejt me një ortek pacientësh në reanimacion. Për më tepër, nuk ka siguri se kjo metodë do të funksionojë:
 Covid-19 duket një virus që pëson mutacion dhe deri më tani nuk është provuar përtej një dyshimi të arsyeshëm se fitohet imunitet i qëndrueshëm pasi prekesh nga virusi dhe ai zhduket pasi shërohesh.
Por duket se kjo është qasja e qeverisë britanike ndaj koronavirusit. Dhe kryeministri Johnson tha në një konferencë për shtyp në Londër: “Kjo është kriza më e vështirë shëndetësore në një gjeneratë, shumë nga njerëzit tanë të dashur do vdesin”.
Një strategji shumë e ndryshme nga ajo e Italisë, e cila ka mbyllur të gjithë vendin, gjithashtu edhe për shkak se numri i rasteve përtej Kanalit është relativisht i ulët: ‘vetëm’ 590 pozitivë dhe dhjetë vdekje me mbi 29 mijë tamponë.
Por çfarë është imuniteti i turmës?
Kjo ndodh kur një numër i mjaftueshëm njerëzish bëhen rezistentë ndaj sëmundjes, e cila nuk përhapet më në mesin e popullatës. Për shkak se Covid-19 është një sëmundje e re, askush nuk ka imunitet. Por nëse shumica e njerëzve e merr virusin, ajo bëhet rezistente për valën e dytë të përhapjes. Virusi do e ketë të vështirë të gjejë njerëz për t’u përhapur.
Ekspertët mendojnë se duhet 60 përqind e popullatës për të arritur këtë imunitet. Kjo shifër është më e ulët se e disa sëmundjeve të tjera infektive.
Por edhe në këtë rast, shkencëtarët vetëm shpresojnë se skema do funksionojë. Ende nuk dimë se imunitet fiton trupi kur përballet me virusin e ri. Po ashtu ka raportime nga Kina se disa njerëz janë infektuar nga dy herë me koronavirus. Po ashtu nuk dihet sa do zgjasë imuniteti.
Në këtë rast vaksina do ndihmonte ndjeshëm. Imuniteti i turmës nuk është një garanci për të gjithë dhe shumë njerëz do të vuajnë. Po ashtu do vdesin shumë njerëz. Një vaksinë do e përshpejtojë procesin, duke ofruar imunitet pa sëmundjen.

Login to post comments

Lajmet e fundit

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

Politikë

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

  Nga Rruga e Shpresës, në tubimin qytetar, anëtarja e FRPD, Alda Hajderasi tha se Edi Rama, pasi largoi rininë, ka filluar të godasë ata që kanë ngelur, pensionistët. SPAK pse nuk...

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

Politikë

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

  Shqiptarët që jetojnë në Britaninë e Madhe i janë përgjigjur masivisht ftesës së bërë nga kryetari i PD-së, Sali Berisha për një takim në Londër.  Drejtori i komunikimit në PD, Alfred...

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Politikë

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Nga Ilda Zhulali: Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%! Ndërsa planin e gjobave të tjera, në masën 188%! Sa më pak vende parkimi...