Ministria e Shëndetësisë ka bërë të ditur se janë konfirmuar 27 raste të reja me koronavirus në 24 orët e fundit, duke u bëra dita me numrin më të lartë të të prekurve. Në total, numri i të prekurve ka shkuar në 304 persona.
Deri këtë të premte, 16 persona kanë ndërruar jetë të prekur me koronavirus, ndërsa 89 persona janë shëruar.
Në shërbimin infektiv aktualisht janë 73 të shtruar. 7 prej tyre janë në terapi intensive ndërsa 2 nga këta janë të intubuar. Pjesa tjetër e të shtruarve në pavion janë në gjendje të stabilizuar deri në këto momente.
Gjatë orëve të para të mëngjesit janë transportuar në spitalin COVID2 “Shefqet Ndroqi”, 3 paciente nga Spitali Infektiv. Aktualisht në spitalin COVID 2 “Shefqet Ndroqi”, i cili do të ndjekë rastet e rënda me insufiçencë respiratore covid pozitiv, janë 4 pacientë të shtruar, 2 prej të cilëve në gjendje të rënduar (të intubuar).
Në dy spitalet COVID aktualisht po marrin shërbim 81 pacientë.
Harta e të prekurve nga COVID-19 zgjerohet në Tiranë, Durrës, Fier, Kavajë, Lezhë, Mirditë dhe Shkodër.
Shpërndarja gjeografike e rasteve pozitive, është si vijon:
– Tiranë 146 raste
– Durrës 32 raste
– Lushnje 4 raste
– Elbasan 8 raste
– Fier 25 raste
– Kavajë 8 raste
– Rrogozhinë 2 raste
– Korçë 16 raste
– Vlorë 5 raste
– Shkodër 22 raste
– Lezhë 11 raste
– Berat 1 rast
– Has 8 raste
– Krujë 5 raste
– Tropojë 4 raste
– Pukë 4 raste
– Mirditë 3 raste