Kreu i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), Tedros Adhanom, ka bërë një paralajmërim të fortë për të gjitha shtetet e globit në lidhje me pandeminë Covid-19.
Adhanom theksoi se më e keqja e pandemisë ende nuk ka ardhur, ndërsa shtoi se virusi po vijon të përhapet me shpejtësi.
Në një konferencë për mediat nga selia e OBSH-së në Gjenevë, ai tha:
Pandemia e koronavirusit po përhapet me shpejtësi në të gjithë botën, pasi shumë vende që rihapin ekonomitë e tyre shohin një shtim të rasteve me Covid-19. Megjithëse shumë vende në botë kanë bërë një përparim, pandemia në të vërtetë po përshpejtohet. Të gjithë duam që e gjithë kjo të marrë fund. Të gjithë duam të vazhdojmë me jetën tonë, por e vërteta është se pandemia nuk është aspak pranë fundit të saj.
Sipas të dhënave zyrtare, koronavirusi aktualisht ka infektuar më shumë se 10.1 milion njerëz në mbarë botën dhe u ka marrë jetën më shumës e 502 mijë personave.
Më shumë se 60% e rasteve të reja ditore vijnë nga vendet e Amerikës, sipas të dhënave të publikuara nga OBSH.
Më shumë se 23% e 189.077 rasteve të reja të raportuara globalisht të dielën erdhën nga SHBA. Brazili ishte i vetmi vend në botë që raportoi më shumë raste të reja sesa SHBA-ja një ditë më parë.
Adhanom shtoi:
Disa vende kanë përjetuar një rigjallërim të rasteve kur kanë hapur ekonomitë dhe shoqëritë e tyre. Shumica e njerëzve mbeten të ndjeshëm. Virusi ka ende shumë hapësirë për t’u përhapur.
Ai tha se jetët e njerëzve do të shpëtohen përmes strategjisë së testimit masiv për virusin, indentifikimit të njerëzve që mund të kenë qenë të ekspozuar, izolimit të personave të infektuar, si dhe përmirësimit të trajtimit për pacientët.
Tedros tha se disa qeveri duhet të konsiderojnë përsëritjen e strategjisë së Koresë së Jugut për testimet, gjurmimin e kontakteve dhe izolimin e personave të infektuar. Ai shtoi se qeveritë duhet të përfshijnë komunitetin në çdo përpjekje për të rritur testimet, gjurmimin dhe izolimin.
Më tej ai theksoi se:
Më e keqja s’ka ardhur akoma, pasi shumë kombe dhe liderë botërorë mbeten të ndarë se si të luftojnë virusin. Më vjen keq ta them këtë, por me këtë lloj ambienti dhe gjendjeje, kemi frikë nga më e keqja. Kjo është arsyeja pse ne duhet të bëjmë aktet tona dhe të luftojmë së bashku këtë virus të rrezikshëm.