Sofie Kokaj, regjisorja shqiptaro-belge dhe arti i saj avangard

E Enjte, 20 February 2020 09:59

Nga Elona ZHANA

 “Bad Boy Nietzsche”, nga Richard ForEman tek Sofie Kokaj

“Bad Boy Nietzsche” është një pjesë teatrale e Richard Foreman, figurë e rëndësishme e historisë së teatrit amerikan. Që në titull qasja është ajo e një provokimi intelektual. Duhet realisht njëfarë experience në ushtrimin e fleksibilitetit të imagjinatës për të lidhur mes tyre imazhin e filozofit, mizantrop dhe jo aq të dashur në epokën e tij që u etiketua gjatë si mentor ideologjik i Hitlerit; me imazhin e një gangsteri punk e gishtambushur me unaza. Precizojmë që në fillim që është pothuajse e pamundur të japim një përmbledhje të pjesës teatrale. Por siç duket edhe nga titulli, qëllimi është vënia në skenë e betejave te Nietzche me koshiencën e tij te materializuar, duke matur pamundësinë e kësaj fjale, nëpërmjet shkëmbimeve me një femër të bukur, një burrë të rrezikshëm dhe një fëmijë.

Sofie Kokaj ka parë shfaqjen në vitin 2000 dhe i janë dashur plot 19 vite që projekti të piqet dhe ta sjellë në skenën e teatrit  të Brukselit: Ocean Nord. Një nga siguritë e pakta që i ofrohet publikut që në fillim është puna dekonstruktive e regjisores për të nxjerrë teatrin dhe artin në përgjithësi nga format e tij klasike. Shfaqja është njëfarë kaosi që orkestrohet, para së gjithash nga dëshira e regjisores për të përdorur materiale të paparashikuara dhe për të nxjerrë prej tyre një esence që i shërben si eliksir etjes së pangopur për lirinë e imagjinatës. Aktorët luajnë edhe krejt afër publikut. Ka disa dekore të integruara në një. Zëri është i përforcuar dhe nganjëherë kemi përshtypjen se gjendemi brenda kokës së personazhit Niçe që autori e ka thirrur më qëllim që të japë shpjegime rreth keqinterpretimeve që i janë bërë veprës së tij. Por Niçe, në dimensionin e tij të Bad Boy është kokëfortë. Foreman i jep atij fuqinë e provokimit. Dhe ai nuk e humb asnjëherë rastin për të shokuar. Loja është e bukur, hërë - hërë paranoike, totalisht e paparashikueshme, dhe pa asnjë tabu. Mizoria e fjalëve sinkronizohet me mizorinë e akteve por nuk janë asgjë para forcës së heshtjes. Humori është i posaçëm. Mes temave të përdorura mund të flasim për sado-mazoshizëm. Ndërsa nga ana estetike regjisorja ka zgjedhur minimalizmin.     

Më këtë shfaqje, Sofie Kokaj punon për herë të parë me një tekst teatri. Spektaklet e saj të mëparshme kanë patur zanafillë në mënyrë pothuajse ekskluzive në materiale jo teatrale : pamjet e një filmi (Godard, Tarkowski), fjalët e një kënge (this is not a love song, të grupit PIL) apo  thëllinja poetike, (Ginsberg, Patti Smith.) Pjesa u mbajt në teatrin Ocean Nord gjate muajit Shtator 2019. Rishfaqja e saj për vitin 2020 është në programim.

Kush është Sofie Kokaj 

Sofie Kokaj, lindur në Bruksel në vitin 1972 nga Hyra Laçi dhe Ali Kokaj, të dy  refugjatë shqiptarë. Diplomohet si regjisore në Institutin Shtetëror të Studimeve larta të Artit të Spektaklit në Bruksel, seksioni teatër, në vitin 1994. Me bindjen që nuk i përket vetëm botës së teatrit, ka një eksperience në fushën e kërcimit bashkëkohor dhe atij klasik ku takon  personazhe që do ta ndihmojnë atë në procesin e transformimit të njohurive që kishte marrë gjatë studimeve. Në vitin 2000 i kthehet teatrit me shfaqjen e saj të parë që e titullon: «No Trace of a place to hide », suksesi i së cilës është një surprize profesionale dhe njëherazi një premtim, siç do të rezultojë më pas, sepse ajo do t’i qëndrojë besnike asaj rryme dhe atij stili teatri. Ndërkohë Sofie do të eksperimentojë edhe me talentin e saj si aktore dhe jo me pak se në një pjesë teatrale të Jacques Delcuvellerie. Më pas rrugëtimi i saj vazhdon me disa shfaqje të suksesshme si :  « This is not a love song », « Mange ta glace »,  « Tell me Mother » « Leur expérience n’est pas considérée comme un travail », « On rendra leurs idéaux à leur exécuteurs »,  « Déficit de larmes » etj… Aktualisht Sofie Kokaj është pedagoge në Institutin Shtetëror të Studimeve larta të Artit të Spektaklit në Bruksel.

Sa ka ndikuar trashgimia shqiptarë në punën si regjisore?  

Kjo është një pyetje gati retorike, përgjigjet Sofie, ndërkohë që nuk e fsheh vështirësinë që ka për të formësuar sadopak mendimin e saj. Ndikimi i trashëgimisë shqiptare gjendet pothuajse kudo në punën e saj ndonëse në forma krejt subtile e ndoshta jo dhe aq evidente.

Është motra ime  e madhe e mbetur në Shqipëri, vazhdon jo. Është gjuha e dytë ajo që personazhet flasin të parën. Jo ajo që u lejon atyre të punojnë për të paguar faturat dhe për të gjetur vendin e tyre në shoqëri, por ajo që u lejon atyre të kuptojnë vetveten. Është figura e një vajze që kërkon vendin e saj dhe nuk reshtën se pyeturi nëse eshtë e mirëseardhur edhe pse të tjerët nuk e venë re këtë gjë. Është një lloj thesari rrezëllitës dhe që mban në vetvete një farë dhune.

Mund të jetë edhe dikush si Anri Sala, filmin e të cilit « 1395 ditë pa Redin », e kam zbuluar në Venecia dhe më ka tronditur tërësisht, shton papritur ajo.

Madje, kur e mendoj thellë - thellë, them që kam studiuar tetarin për të kuptuar gjëra tërësisht personale që lidhen me familjen time, si imigrimi, ndarja me njerëzit e dashur, bashkëjetimi i kulturave të ndryshme. 

Kanë thënë per Sofie Kokaj :

“Mos i kërkoni të ecë nëpër rrugët e shkelura, në vend të tyre Sofie Kokaj preferon të ndjekë fillin e mendimeve. Është pikërisht ky fill që drejton rrugën e krijimtarisë së saj që nga vitet 2000” Laurent Ancion.

“ Të takosh Sofie Kokaj, do të thotë të takosh një teatër në lëvizje ku e vetmja siguri është pasiguria totale...” Alain Cofino Gomez

“ Sofia Kokaj zbulon universin e saj antikonformist. Aty kryqëzohen performanca, teatri, vallëzimi, muzika. Aty kryqëzohet dehja nga shkëlqimi dhe kthimi në fëmijëri. Liria është një çështje që duhet mbajtur nën vëzhgim” Sabine Dacalor

“Në “Mange ta glace”’ (shqip. Ha akulloren tënde) të Sofie Kokaj do të gjeni të gjitha aromat : Poetin Allen Ginsberg, këngëtaren e rrokut Patti Smith, kineastin John Cassavetes, Goradrd apo historinë e shumëpërfolur të Chelsea Hotel. Skenaristja ka talentin të konvokojë fantazmat e të kaluarës për të bërë paqe me të tashmen.” Catherine Makereel

“ Ndikimet e Sofie Kokaj janë të shumëfishta, nga Ginsberg tek Godard duke kaluar nga Deleuze, Passolini e Patti Smith, ajo krijon një seri infulencash kulturore që konfirmojnë faktin që të gjithë mentorët tanë kanë qënë pionierë në krijim e gjuhëve të reja dhe formave të reja të shprehjes.” Mathieu Perira  

“ Arti i Sofie Kokaj të shkund. Këmbëngulja e saj për të shpërbërë çdo gjë gjer në thelb dhe për të bërë art më atë çfarë mbetet nga ajo shpërbërje është befasuese. Shtoi kësaj edhe një estetike minimaliste dhe ke përkufizuar qasjen e artit të saj. Ose krejt të kundërtën!» Elona Zhana    

Modifikuar më Premte, 21 February 2020 16:05
Login to post comments

Lajmet e fundit

Paditet kryebashkiaku i Nju Jorkut/ Hetimi federal dhe dyshimet për financimin e fushatës

Globi

Paditet kryebashkiaku i Nju Jorkut/ Hetimi federal dhe dyshimet për financimin e fushatës

    Kryebashkiaku i Nju Jorkut, Eric Adams është paditur për të paktën një akuzë penale dhe është vënë nën hetim federal. Adams do t'i dorëzohet autoriteteve në fillim të javës së ardhshme...

Kraja: Degradim i shtetit ligjor! Korrupsioni i Ramës dihet nga ndërkombëtarët, por ata shpeshherë e mbyllin një sy

Politikë

Kraja: Degradim i shtetit ligjor! Korrupsioni i Ramës dihet nga ndërkombëtarët, por ata shpeshherë e mbyllin një sy

    I ftuar në edicionin e pasdites në SYRI TV me moderatorin Edvin Parruca për të folur për shpërqëndrimin që po i bën Rama shqiptarëve me 'Shtetin Bektashi', mes skandaleve që...

Xhuljan Guçe: Qytetarët e Korçës nuk pranojnë më premtime “pe leshi”

Politikë

Xhuljan Guçe: Qytetarët e Korçës nuk pranojnë më premtime “pe leshi”

Nga Xhuljan Guçe: Në një deklaratë të fundit, drejtuesi i Partisë Socialiste në Korçë, z. Niko Peleshi, njoftoi se partia e tij synon të sigurojë 6 mandate në këtë qark, duke...