Kryeministri Ramush Haradinaj ka zhvilluar sot një vizitë me familjet e dëshmorëve të komunës së Deçanit, ku nuk kanë munguar edhe deklarata lidhur me çështjen e kufijve mes Kosovës e Serbisë.
Sipas Haradinaj, kushtetuta e detyron ta mbrojë Kosovën siç është, e pandarë dhe e pacenuar.
“Kushdo që jeton në këtë vend e ka obligim me e mbrojt këtë Kosovë të 17 të shkurtit. Kushtetuta më obligon me e mbrojt kështu si është e që thotë se është një e pandame dhe e pacenueshme në territor. Cilido qytetarë me kushtetutë është i obliguar me mbrojt Kosovën e 17 shkurtit”, deklaroi Haradinaj.
Sipas tij, kushdo që e cenon territorin e Kosovës, qoftë luftëtar, ushtar i dalluar apo lider, është armik i Kosovës.
“Nëse e hapim çështjen e kufijve e hapim varret e atyre që e kanë dhënë jetën, askush se ka këtë të drejtë nëse dikush e hap çështjen e territorit është armik i Kosovës. Kush është ai mik që ka të drejtë me fol për tokën e vendit tim, ai që ta hap kufirin nuk është më mik, çështja e hapjes së kufirit të Kosovës i shkon për shtati vetëm Vladimir Putinit”, vijoi kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj.
Deklaratat e Haradinajt pritet të shtojnë akoma më shumë përplasjet mes presidentit Hashim Thaçi dhe kryeministrit Ramush Haradinaj, të cilat duhet pranuar se nuk kanë munguar as në të shkuarën.
Kujtojmë se PDK dhe AAK janë në koalicionin qeverisës në Kosovë.