VOA/ “NATO ka pësuar vdekje klinike të trurit”, Trump: Makron ka fyer rëndë organizatën ushtarake më të fuqishme në botë

Tuesday, 03 December 2019 17:49

Presidenti amerikan, Donald Trump, kritikoi të martën presidentin francez Emmanuel Macron për komentet e tij në të cilat e përshkroi NATO-n si një organizatë që po përjeton “një vdekje klinike të trurit”, duke thënë se komenti i udhëheqësit francez ishte një “deklaratë e rëndë”.

Duke folur përkrah Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, derisa udhëheqësit e vendeve anëtare, u mblodhën për një samit në Londër, Presidenti Trump tha se “ju thjesht nuk mund të shkoni vërdallë duke bërë deklarata të tilla për NATO-n”.

Në të kaluarën, Presidenti Trump ka thënë se NATO është “e vjetëruar” dhe vazhdimisht ka shprehur dëshirën e tij për t’u larguar nga aleanca. Komentet e presidentit Macron u bënë në një intervistë me revistën britanike The Economist, muajin e kaluar. Ai që atëherë ka mbrojtur komentet e tij, duke thënë se NATO “kishte nevojë për një alarm zgjimi” dhe duhet të përqendrohet në çështje të tjera përveç nivelit të shpenzimeve të secilit vend në fushën e mbrojtjes.

Presidenti Trump dhe presidenti Macron do të takohen gjatë së martës. Shpenzimet e mbrojtjes kanë qenë një fokus për Presidentin Trump që kur ai mori detyrën në vitin 2017 dhe u ankua se Shtetet e Bashkuara po merrnin barrën më të madhe financiare të aleancës.

Stoltenberg përshëndeti angazhimin e Presidentit Trump të martën, duke thënë se udhëheqja e tij në këtë çështje është “duke pasur një ndikim të real”. Ai përmendi një rritje prej 130 miliardë dollarësh në buxhetet e mbrojtjes së vendeve anëtare të NATO-s dhe tha se deri në vitin 2024 do të ketë një rritje deri në 400 miliardë dollarë në shpenzimet e mbrojtjes të vendeve anëtare të aleancës së bashku.

Përveç diskutimeve për buxhetin, Stoltenberg tha se udhëheqësit vendeve të NATO-s do të flasin edhe për përpjekjet e luftës kundër terrorizmit, kontrollin e armëve, marrëdhëniet me Rusinë dhe ngritjen e Kinës. Samiti po mbahet derisa presidenti Trump përballet në shtëpi me një hetim për shkarkimin e tij. Ai përsëriti kritikat e tij të martën për demokratët që kontrollojnë Dhomën e Përfaqësuesve, duke thënë se është e padrejtë të mbahen seanca ndërsa ai po merr pjesë në samit.

Por, ai mohoi mundësinë që procesi të ketë dobësuar pozitën e tij derisa po takohet me udhëheqësit botëror.

Presidenti Trump dhe zgjedhjet në Britani

Presidenti Trump e filloi vizitën e tij në Londër me një premtim për të qëndruar largë zgjedhjeve të përgjithshme të Britanisë, që do të mbahen më 12 dhjetor.

“Unë nuk kam mendime për fushatën, do të jenë zgjedhje shumë të rëndësishme për këtë vend të madh, por nuk kam asnjë mendim për ato”, tha Presidenti Trump, pas një takimi me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, ndërkohë që udhëheqësit e vendeve anëtare të organizatës veri-atlantike po mblidhen për në takim në Londër.

Por, Presidenti Trump nuk i rezistoi mundësisë për të shprehur mendimin e tij për kryeministrin britanik, duke thënë, “Borisi është shumë i aftë dhe unë mendoj se ai do të bëjë një punë të mirë.”

Në një intervistë të fundit, Johnson paralajmëroi Presidentin Trump që të mos i jepte mbështetje, duke thënë se ishte më së miri “që asnjëra palë të mos përfshihej në fushatat zgjedhore të palës tjetër.” Në tetor, Presidenti Trump e lavdëroi Kryeministrin Johnson si “njeri të duhur për këtë kohë” dhe tha se Jeremy Corbyn i Partisë Laburiste do të ishte një kryeministër i “keq”.

Udhëheqësit botërorë rrallë shkelin normat diplomatike dhe shmangin komentet mbi zgjedhjet në vendet e tjera.

Presidenti Trump gjithashtu tha se Shtetet e Bashkuara nuk kanë asnjë interes për Shërbimin Kombëtar të Shëndetit në Britani. “Ne nuk kemi absolutisht asnjë lidhje me të dhe ne nuk do të donim ta merrnim edhe nëse ai (Shërbimi Kombëtar britanik i Shëndetit) do të na ofrohej në një pjatë argjendi,” tha Presidenti Trump.

Interesimi i Presidentit Trump për privatizimin e Shërbimit të Shëndetit Kombëtar në Britani ka qenë një fokus kryesor i britanikëve në fushatën zgjedhore. Udhëheqësi i opozitës, Jeremy Corbyn ka akuzuar kryeministrin Johnson dhe Partinë Konservatore për përfshirje të Shërbimit Kombëtar të Shendetit në një marrëveshje pas Brexitit me Shtetet e Bashkuara. Boris Johnson i ka mohuar këto akuza.

Trump dhe Johnson do të takohen gjatë seancave me udhëheqës të vendeve të tjera anëtare të NATO-s, por deri më tani nuk është bërë e qartë nëse ata do të zhvillojnë një takim kokë më kokë. Përveç takimit të tij me zotin Stoltenberg, Trump ka planifikuar të takohet me Presidentin Francez Emmanuel Macron dhe Kancelaren Gjermane Angela Merkel. /Voa/

Modifikuar më Tuesday, 03 December 2019 17:50
Login to post comments

Lajmet e fundit

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

Politikë

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

  Nga Rruga e Shpresës, në tubimin qytetar, anëtarja e FRPD, Alda Hajderasi tha se Edi Rama, pasi largoi rininë, ka filluar të godasë ata që kanë ngelur, pensionistët. SPAK pse nuk...

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

Politikë

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

  Shqiptarët që jetojnë në Britaninë e Madhe i janë përgjigjur masivisht ftesës së bërë nga kryetari i PD-së, Sali Berisha për një takim në Londër.  Drejtori i komunikimit në PD, Alfred...

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Politikë

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Nga Ilda Zhulali: Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%! Ndërsa planin e gjobave të tjera, në masën 188%! Sa më pak vende parkimi...