Në seancën e fundit të vitit të shkuar më 27 dhjetor, parlamenti i Malit të Zi mes protestave të forta brenda sallës dhe jashtë godinës, votoi me shumicë projektligjin e qeverisë “për lirinë e fesë”.
Rreth 36 deputetë e bojkotuan votimin, duke i hapur rrugën koalicionit qeverisës për ta miratuar draftin pas tetë orë debatesh të ashpra. Disa prej ligjvënësve që protestuan, u nxorën prej ndërtesës nga forcat e sigurisë ndërsa qindra mbështetës të opozitës pro-serbe dolën në rrugët e kryeqytetit, Podgoricë, për të kundërshtuar projektligjin. Ndërkohë natën e mbrëmshme në Beograd u sulmua dhunshëm ambasada e Malit të Zi.
Duket se situata mes dy vendeve ka kaluar sërish në një “gjendje lufte” që pas grushtit të shtetit të dështuar në Podgoricë, i cili ishte planifikuar që të kryhej ditën e zgjedhjeve më 16 tetor të vitit 2016, me synim ndalimin e anëtarësimit të Malit të Zi në NATO. Edhe pse pas një procesi gjyqësor u vërtetua se prapa këtij plani ishin shërbimet sekrete ruse, mjaft të dhëna të çonin edhe tek opozita pro-serbe e pro-ruse në Podgoricë, si dhe në qarqe zyrtare në Beograd.
Miratimi i `ligjit për fetë` ka risjellë tensionet mes dy vendeve me qasje të kundërta ndaj Rusisë.
Ligji i miratuar prek hegjemoninë nacionaliste serbe nëpërmjet kishës së saj në Mal të Zi, siç edhe pretendon njësoj në Kosovë me manastiret e lashtë ortodoksë, që janë shpallur `ekstra-komunitete`.
Arsyet e këtij konflikti të rrezikshëm në rajon, që po ndez Serbia, në pamje të parë kanë të bëjnë thjesht me efektet e këtij ligji, i cili mund t'i heqë Kishës Ortodokse Serbe të drejtën mbi pronësitë e shumta që ka në Mal të Zi. Kisha dhe protestuesit serbë pretendojnë se dokumenti i kthyer në ligj kërkon të ofrohen të dhëna mbi pronësinë e përpara vitit 1918, kur Mali i Zi ishte i bashkuar me Mbretërinë Jugosllave. Kisha Ortodokse Serbe pretendon se ligji do t’i marrë asaj pronën, duke përfshirë manastiret dhe kishat, Fillimisht u deklarua se kjo çështje do të ndiqej në organizata ndërkombëtare, por duket se `axhenda` është përshpejtuar me flakët që përfshinë ambasadën e Malit të Zi në Podgoricë. Kjo ka bërë që mjaft zëra të rëndësishëm në rajon edhe më gjerë të deklarojnë se `zemërimi serb` ndaj këtij ligji është vetëm një sebep për një axhendë tjetër destabilizuese për gjithë rajonin tonë.
Qeveria malazeze faktikisht e ka hedhur poshtë pretendimin e kishës serbe dhe vetë kryeministri, Dushko Markoviç u takua me peshkopin, Amfilohije, i cili është në krye të Kishës Ortodokse Serbe në Malin e Zi, në përpjekje për të zbutur tensionet, duke deklaruar se pas këtij ligji, nuk ka asnjë “axhendë të fshehtë”.
Por kjo nuk po shihet kështu nga qarqe të fuqishme nacionaliste serbe, të cilat janë vënë në veprim edhe me mjete të dhunshme, të cilët duket se po e shfrytëzojnë këtë ligj për tjetër axhendë të cilën e kanë synuar edhe më parë, nëpërmjet grushtit të dështuar të shtetit dhjetorin e vitit 2016.
Pikërisht këtë gjë ka paralajmëruar me shqetësim edhe letra publike e dhjetëra zyrtarëve dhe ish-zyrtarë të mirënjohur, akademikë dhe figura të kulturës në Ballkan. Të bashkuar në një peticioni online, ata kanë paralajmëruar për “kërcënim të paqes” së rajonit nga ana e Beogradit, pas reagimeve që janë parë pas miratimit të një ligji të ri për liritë fetare në Malin e Zi.
Në mesin e 120 nënshkruesve të “Apelit kundër Kërcënimeve të Beogradit ndaj paqes në Malin e Zi dhe rajon”, gjenden ish-presidentë të Kroacisë dhe Sllovenisë, ish-liderë jugosllavë, tre ligjvënës serbë dhe dhjetë gazetarë.
“Ne kemi parë nevojën e rikujtimit të vetes për disa gjëra që kanë ndodhur në vitet 1990 dhe të theksojmë se ato janë duke ndodhur edhe tani sipas një skenari të ngjashëm", ka thënë Sonja Biserko, nënshkruese e apelit të 30 dhjetorit dhe themeluese e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi, për Shërbimin e Ballkanit të Radios Evropa e Lirë, duke iu referuar gjakderdhjes që ka rezultuar me shpërbërje të Jugosllavisë.
Përveç tjerash, në letër thuhet se Republika e Malit të Zi është në shënjestër të tentimeve për destabilizim përmes mjeteve të dhunshme dhe se nacionalistët ekstremë të Serbisë po `përdorin këtë ligjit të ri si një tjetër tentim për grusht-shtet`.
Nga ana e tij presidenti serb gjatë një interviste për median “Pink”, sulmin mbi ambasadën e Malit të Zi e ka komentuar thatë, duke deklaruar se ajo është e mbrojtur dhe se nuk ka ndonjë shqetësim.
Por gjërat duket se nuk janë ashtu si duken, nëse e plotësojmë pazllin me përpjekjet për ndarjen e Kosovës, mënyrën konfliktuale dhe malinje që po projektohet “mini-shengeni Ballkanik” etj. Ndaj shqetësimi i hershëm për një plan në veprim destabilizimi në Ballkan, duket se po zë vend fort edhe në kancelaritë e Uashingtonit, Berlinit dhe Brukselit.