Bashkëshortja e një ushtaraku, Angela Ricketts ishte zhytur në vaskë në shtëpinë e saj në Kolorado, duke shfletuar disa nga kujtimet e saj, kur papritur një mesazh i del në “iPhone”-in e saj nga disa “hacker”-a, të cilët e kërcënonin se do t’i therrnin të gjithë pjesëtarët e familjes.
“E dashur Angela – niste mesazhi i dërguar nga ata në Facebook. – Gëzofsh një Shën Valentin të përgjakshëm!”.
“Ne dime gjithçka mbi ty, bashkëshortin tënd dhe fëmijët tuaj”, vazhdonte më tej mesazhi, i cili pretendonte se “hacker”-a që vepronin nën flamurin e militantëve të Shtetit Islamik kishin siguruar qasje në kompjuterin dhe telefonin e saj. “Jemi shumë më pranë nga ç’mund ta imagjinosh”.
Ricketts ishte vetëm njëra nga 5 bashkëshortet e ushtarëve amerikanë që kanë marrë kërcënime me vdekje nga i vetëquajturi “CyberCaliphate” mëngjesin e 10 shkurtit të vitit 2015. Kërcënimet sollën për pasojë ditë të tëra mbulimi mediatik mes shqetësimeve mbi qasjen që kishin siguruar militantët e Shtetit Islamik.
Me përjashtim të faktit se…ata nuk ishin të ISIS-it.
“Associated Press” ka gjetur prova se, gratë ishin shënjestruar jo nga xhihadistët, por nga i njëjti grup “hacker”-ash rusë që ndërhynë edhe në zgjedhjet amerikane dhe ekspozuan “e-mail”-et e kreut të fushatës presidenciale të Hillary Clintonit, John Podesta.
Rasti është përfshirë tashmë në studimin e vështirësive të gjetjes së fajtorëve të vërtetë në një botë ku “hacker”-at huazojnë thuajse në mënyrë rutinë identitetin e njëri-tjetrit, për t’i larguar hetuesit nga gjurmimi i tyre.
Lidhjet mes “CyberCaliphate” dhe piratëve rusë të informatikës, të mbiquajtur zakonisht si “Fancy Bear” ose “APT28”, janë dokumentuar edhe më herët. Në të dyja anët e Atlantikut ekziston një konsensus i gjerë se dy grupet kanë lidhje të afërta. Por, ky konsensus nuk ka mundur të arrijë kurrë te gratë e përfshira, shumë prej të cilave janë ende të bindura se janë shënjestruar nga simpatizantë të Shtetit Islamik, deri kur “Associated Press” i kontaktoi ato. /tch/