Krahu i djathtë i liderit koreano verior, Kim Jong-un, është takuar me sekretarin amerikan të shtetit, Mike Pompeo në Nju Jork, për të diskutuar mbi takimin historik.
Gjenerali Kim Yong Chol, ka darkuar me Pompeon pasi fluturoi drejt SHBA nga Kina dhe të dy ata pritet të takohen sërish gjatë ditës. Ai është zyrtari më i lartë koreano verior që viziton SHBA në rreth 20 vite.
Presidenti amerikan, Donald Trump, e anuloi takimin e 12 qershorit, por të dyja palët kanë bërë deri më tani përpjekje për ta mbajtur atë siç ishte parashikuar. I planifikuar të ndodhë në Singapor, takimi historik do të jetë i pari mes një presidenti amerikan në detyrë dhe një lideri koreano verior.
Mbrëmjen e të mërkurës, Pompeo dhe gjenerali Kim mbërritën të ndarë në një ndërtesë pranë zyrave qendrore të OKB. Më vonë, Pompeo në një postim në “Twitter” tha: Një darkë e mirë pune me Kim Jong Chol, në Nju Jork sonte…biftek, misër dhe djathë në menu”.
Ndërkohë në Singapor, një ekip amerikan i kryesuar nga zyrtari i Shtëpisë së Bardhë, Joe Hagin, mendohet se është takuar me Kim Chang Son, shefin de fakto të stafit të liderit koreano verior për të folur për logjistikë. Dhe Sergei Lavrov, ministri i Jashtëm rus, ka mbërritur ndërkohë në Penian për bisedime.
Ai i tha medias ruse se donte të kuptonte pozicionin e Koresë së Veriut. Lavrov foli po ashtu me Pompeon për të parën herë të mërkurën, në telefon.