Operatorët në sektorin e turizmit kanë filluar pushimet në masë nga puna. Ata po fshijnë nga listëpagesat punonjësit e tyre, pasi sektori është në prag kolapsi. Një ndër degët kryesore të ekonomisë shqiptare ka marrë me koronavirusin goditjen e dytë, pas tërmetit të 26 nëntorit.
“Deri javën e kaluar akoma strukturat nuk i kishin çregjistruar punonjësit e vet, këtë javë qeveria do të shikojë bumin e punonjësve të dalë nga sigurimet shoqërore. Nga data 1 prill e në vazhdim duhet të jenë strukturat shtetërore që të marrin përgjegjësi për punonjësit tanë”, tha për A2 Business Vasil Bedinaj, kreu i Operatorëve Turistikë për Jugun.
Në paketën e masave të qeverisë nuk është parashikuar asnjë ndihmë për sektorin e turizmit, i cili po përballohet me anulimin e të gjitha rezervimeve, çka do të thotë 0 të ardhura për operatorët.
“Standard & Poor’s” jep alarmin: Preket rëndë turizmi në Shqipëri
Alarmin për krizën që ka përfshirë turizmin e ka dhënë edhe Agjencia e Vlerësimit të borxhit “Standard & Poor’s”, që ka zhvilluar një analizë për ndikimin e pandemisë së koronavirusit. Analiza tregon se Shqipëria është në mesin e 15 vendeve, që do të pësojnë humbjet më të mëdha. Sipas S&P, vendet e rajonit të Ballkanit do të preken ndjeshëm nga pandemia dhe pritet të humbasin nga prurjet e turizmit nga 1,9-2.2% të Prodhimit të Brendshëm Bruto.
Nga ana tjetër, Këshilli Botëror i Turizmit ka deklaruar se 50 milionë vende pune në të gjithë botën në sektorin e turizmit janë të rrezikuara për shkak të COVID-19. Në këto kushte, Këshilli Botëror i Turizmit ka kërkuar nga qeveritë e vendeve të prekura nga koronavirusi që të marrin masa të menjëhershme për të frenuar kolapsin. Më konkretisht ata kanë propozuar: ruajtjen e vendeve të punës; kredi me interes 0 për të siguruar likuiditet për bizneset e mëdha dhe të vogla; si dhe heqjen e taksave për 12 muaj./A2