Kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi ka reaguar sërish lidhur me protestën e banorëve të Astirit. Kryemadhi thotë se ato banorë po kërkojnë të drejtat e tuyre dhe që po kërkon t’ua heqë kryeministri.
Kryemadhi thotë se frika më e madhe e kryeministrit është rebelimi popullor i shqiptarëve, rebelim që sipas saj nuk mund ta ndalë asnjë dredhi politike, pazar, apo medie e shitur.
“Ndaj sot jemi me protestën, jemi me kurajon dhe forcën e atyre banorëve që kanë 20 ditë që nuk ndalen në kërkesat e tyre, që nuk u blenë dhe as u shitën, madje as nuk u përçanë megjithë përpjekjet e qeverisë”, shkruan Kryemadhi ndër të tjera në ‘Facebook’.
Postimi i plotë:
Edi Rama dhe veglat e tij po mundohen t’u heqin shqiptarëve edhe një nga pak të drejtat që u kanë mbetur, të drejtën e protestës.
Me kërcenime, keqpërdorimin e policisë, me gjuhën vulgare me të cilën iu drejtohet banorëve të Unazës së Re, ai më sot përpiqet të ndalë qytetarët të kërkojnë të drejtën e tyre.
I zhytur në batakun e kriminalitetit, frymëzuesi i shkatërrimit të Shqipërisë, çdo ditë shpik beteja dhe heronj imagjinarë me synimin e vetëm që të tërheqë vëmendjen nga protesta, e cila çdo ditë e më shumë gërryen themelet e pushtetit të krimit dhe oligarkëve. Fryma e rebelimit popullor është frika më e madhe e diktatorëve dhe si e tillë ajo e tmerron Edi Ramën, që prej muajsh vetëm menaxhon krizat e deputetëve të tij të inkriminuar dhe të klientëve të tij. që pasurohen me paratë e shqiptarëve.
Kryeministri i krizës, i rraskapitur nga skandalet e njëpasnjëshme tashmë ndodhet në grahmat e fundit të despotizmit të tij politik. Çdo minute, çdo orë dhe çdo ditë protestë kundër qeverisjes së tij është një tulle më pak në themelet e rrënuara të qeverisë së rilindjes.
Asnjë dredhi politike, asnjë marrëveshje apo pazar i bërë jashtë syve të publikut, asnjë media e blerë apo e shitur madje as mungesa apo pavarësia e institucioneve të drejtësisë nuk mund të ndalë rebelimin e qytetarëve që nuk kërkojnë asgjë më shumë se të drejtën që u jep kushtetuta.
Ndaj sot jemi me protestën, jemi me kurajon dhe forcën e atyre banorëve që kanë 20 ditë që nuk ndalen në kërkesat e tyre, që nuk u blenë dhe as u shitën, madje as nuk u përçanë megjithë përpjekjet e qeverisë.