Presidenti i Republikës, Ilir Meta, uroi sot që Krishtlindjet e vitit të ardhshëm ta gjejnë vendin me negociata të hapura për anëtarësimin në Bashkimin Europian.
“Është një ditë që na fton të gjithëve të shtojmë urtësinë dhe mençurinë që Krishtlindjet e tjera të na gjejnë jo vetëm më të gëzuar, më të bashkuar dhe të na gjejnë me negociata të çelura për anëtarësimin në Bashkimin Europian”, tha Meta në urimin e tij për besimtarët e krishterë.
Kreu i shtetit u vlerësoi gjithashtu punën e komuniteteve të besimit në vendin tonë për sa i përket harmonisë fetare.
“Dua të vlerësoj punën e jashtëzakonshme që bëjnë komunitetet e besimit në vendin tonë, jo vetëm për besimin tek Zoti, jo vetëm për besimin tek e drejta, tek e mira, tek paqja, por mbi të gjitha atë punë të shkëlqyer dhe shembull që japin komunitetet tona duke e rritur çdo ditë harmoninë ndërfetare në vendin tonë dhe kjo harmoni duhet të reflektojë kudo dhe në radhë të parë duhet të reflektojë në politikë”, nënvizoi Meta.
I pyetur për Reformën Zgjedhore, Meta u shpreh që nga kjo ditë feste të shtojmë mençurinë për t’i zgjidhur gjërat.
“Kjo është një ditë që na fton të gjithë të shtojmë urtësinë që Krishtlindjet e tjera të na gjejnë më të gëzuar, dhe me negociata me BE”, tha Meta.